Analisti politik, Nexhat Haziri, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të gazetarit Baton Haxhiu për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e akuzuar atë për përpjekje për ta denigruar figurën e ish-presidentit dhe për të krijuar lavdi të rreme për persona të tjerë.
Në një shkrim, Haziri ka thënë se historia nuk mund të ndryshohet dhe se përpjekjet për ta zbehur personalitetin e Rugovës janë të dëshpëruara. Ai ka rikujtuar gjithashtu periudhën e qeverisjes së kaluar, duke pretenduar se Haxhiu kishte shërbyer si urë lidhëse ndërmjet politikanëve të atëhershëm dhe qeverive serbe në Beograd.
Sipas Hazirit, lidhjet e pretenduara nuk kishin të bënin vetëm me politikën, por edhe me çështje të tjera, përfshirë bisedimet për ndarje territoriale dhe diskutimet për çështjen e Preshevës.
Analisti ka ngritur edhe pikëpyetje për arsyet pse Haxhiu po i bën këto deklarime pikërisht tani, duke hedhur dyshime se ato mund të lidhen me zhvillimet e ardhshme politike në Serbi dhe mundësinë e zbardhjes së raporteve të tij të pretenduara me strukturat shtetërore serbe gjatë regjimit të Aleksandar Vuçiqit.
«A mos kanë të bëjnë me frikën e tij se pas rënies së Vuçiqit në Serbi, tani pushteti i ri në Beograd mund të zbardhë edhe raportet e Batonit me strukturat shtetërore të Serbisë të ish-regjimit të Vuçiqit», ka shkruar Haziri.
Ai ka përmendur edhe përballjen e Ibrahim Rugovës me Sllobodan Millosheviqin në Tribunalin e Hagës, duke shtruar pyetjen se përse ish-lideri serb nuk i kishte përmendur pretendimet për këta «gurë» gjatë dëshmisë së Rugovës kundër tij.
Haziri ka theksuar se, sipas tij, deklarimet e Haxhiut nuk e ndihmojnë ish-presidentin Hashim Thaçi në procesin gjyqësor në Hagë dhe as nuk e rrisin figurën e tij duke sulmuar personalitetin e Rugovës.
Ai ka rikujtuar edhe pretendimin se Haxhiu kishte paguar rreth gjysmë milioni euro për një libër, përmes të cilit, sipas analistit, ishte synuar edhe denigrimi i figurës së Rugovës.
Në fund të reagimit, Haziri i ka drejtuar Haxhiut një pyetje të drejtpërdrejtë, duke vënë në dyshim se si mund të ketë njohuri për pretendimet e përmendura, nëse nuk ka qenë vetë i pranishëm.
«Nga e dite ti për këta “gurë”? Ti nuk ke qenë prezent, vetëm nëse je i dezinformuar qëllimisht edhe me miratimin tënd, si mision nga ish-eprori yt, Jovica Stanishiq, ish-shefi i BIA-s serbe dhe bashkëpunëtori i afërt i kriminelit Millosheviq në krimet dhe masakrat ndaj shqiptarëve të Kosovës», ka shkruar Haziri.
Ai e ka përmbyllur reagimin me kritika të ashpra ndaj librave të Haxhiut, duke përdorur gjuhë fyese për të vënë në pikëpyetje vlerën e tyre.
Haziri ka theksuar se, sipas tij, çështjet që lidhen me pretendimet ndaj Haxhiut duhet të marrin përgjigje përfundimtare nga drejtësia.
