Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hill: Kemi probleme me kryeministrin Kurti

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha sot se vendet perëndimore e kanë bërë të qartë se Kosova do të përballet me pasoja për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, duke theksuar se problemet janë me kryeministrin Albin Kurti.

Në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës ai tha se zoti Kurti nuk është pajtuar me kërkesat perëndimore për uljen e tensioneve duke tërhequr njësitë e posaçme të policisë dhe kryetarët e komunave nga veriu.

Hill, tha se kanë probleme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”.

Sipas tij, thelbësore është shtensioni në komunat veriore.

“Shtensionimi është thelbësor dhe mendoj se kemi pasur sukses në këtë drejtim në ditët e fundit. Siç e dini, disa ditë më parë, ne patëm një bllokim të vërtetë atje. Trupat e NATO-s atje. Dhe së fundmi, ata po luanin lojëra sportive me serbët e Kosovës. Kështu që unë mendoj se ka pasur një shtensionim. Ka ulje tensionesh sigurisht nga pala serbe, dhe pritshmëria nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara është që Kosova të bëjë një hap në atë drejtim. Një nga ta është që policia e posaçme të tërhiqet nga veriu. Gjithashtu, kryetarët e komunave duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe kjo duhet të ndodhë në një moment. Dhe çështja e tretë pak më e vështirë, është nëse mund të keni zgjedhje të reja. Nga pala serbe u tha qartë se me rëndësi është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili ende është problem për zotin Kurti. Sepse të gjithë të tjerët e kuptojnë se është e nevojshme”.

Hill tha se Asociacioni është thelbësor për veriun e Kosovës.

“Mendoj se Asociacioni është thelbësor për veriun e Kosovës. Dhe shumica e njerëzve duket se e kuptojnë këtë. Asociacioni është diçka që e kemi premtuar. Është diçka që kemi vendosur ta kemi. Por ndoshta do të jetë e nevojshme t’i shpjegojmë disi komunitetit serb se çfarë do të thotë? Do të thotë aftësi për të pasur shkolla, për të kontrolluar shkollat, për të pasur tekste me të cilat njerëzit janë të kënaqur në ato shkolla, mjete spitalesh, mjekë, kujdes mjekësor. Mendoj se të gjithë këta elementë janë kuptuar dhe duhet bërë shumë punë për t’i zbatuar ato. Dhe mendoj se ne kemi nevojë për vullnet të mirë nga të gjitha palët. dhe sigurisht, shpresojmë që ta marrim këtë nga autoritetet në Prishtinë”.

Hill tha se kryeministri Kurti duhet të bëjë ndryshime nëse dëshiron të llogaritet si mik dhe partner.

“Mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit”, tha ai.

Për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, ai thotë se është i gatshëm ta bëjë atë që tha, të arrijë normalizimin dhe kjo është shumë e rëndësishme.

“Unë mendoj se ai është i gatshëm të bëjë atë që tha – të arrijë normalizimin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe kjo i paraprin të gjitha fazat e ardhshme të bashkëpunimit. Le të fillojmë me radhë, të përpiqemi të realizojmë Asociacionin, njohjen e dokumenteve të Kosovës. Kjo është e rëndësishme në këtë pikë”.