Aktuale

Hodhën kokainën nga dritarja dhe tentuan të arratiseshin, arrestohet çifti shqiptar në Itali

Një çift shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane pas një ndjekjeje në rrugët e Acuto-s, në provincën e Frosinone-s. Dy të dyshuarit akuzohen për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen, ndërsa gjatë tentativës për t’u larguar, pasagjeri dyshohet se hodhi nga automjeti një pako me kokainë.

Ngjarja ndodhi në aksin Via Anticolana-SR 155, ku efektivët e Komisariatit të Fiuggi-t po kryenin kontrolle rutinë në territor. Gjatë patrullimit, policia konstatoi një automjet me dy persona dhe i kërkoi drejtueses të ndalonte për verifikim.

Sipas mediave italiane, gruaja nuk iu bind urdhrit të policisë, por dyshohet se shtoi shpejtësinë dhe nisi të kryente manovra të rrezikshme, përfshirë parakalime në zona me kthesa, duke rrezikuar edhe përdoruesit e tjerë të rrugës.

Gjatë ndjekjes, burri që ndodhej në automjet dyshohet se hodhi nga dritarja një pako. Efektivët e gjetën më pas objektin dhe, pas kontrollit, rezultoi se brenda saj kishte lëndë narkotike.

Ndjekja përfundoi pasi policia arriti të bllokonte automjetin. Për shkak të sjelljes së dy të dyshuarve pas ndalimit, në operacion u përfshinë edhe forca të tjera, përfshirë një patrullë të karabinierëve.

Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 10.04 gramë kokainë, 320 euro cash dhe disa telefona celularë. Në sekuestro u vendos gjithashtu automjeti me të cilin udhëtonte çifti.

Pas arrestimit, dy shqiptarët u dërguan në institucione të ndryshme penitenciare. Burri u transferua në burgun e Frosinone-s, ndërsa gruaja në burgun Rebibbia në Romë.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e aktivitetit të dyshuar të çiftit dhe për të përcaktuar nëse ata kanë qenë të përfshirë në një aktivitet më të gjerë të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Të Ngjashme