Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoxha: Nagavci dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor hoqi dorë nga obligimi ligjor

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se nga fillimi i qeverisjes aktuale, mësimi po fillon mbrapsht.

Ajo theksoi se mbi 220 mijë nxënës po i vuajnë pasojat e dështimit të qeverisë, siç theksoi ajo, për të siguruar falas tekstet shkollore. Deputetja Hoxha shtoi se këtë vit nuk ka as kushte themelore për mësim.

Gjatë debatit parlamentar për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, Hoxha theksoi se qeveria për të mbuluar këtë dështim, në momentet e fundit improvizoi një zgjidhje tjetër.

“Qeveria zyrtarisht vendosi që të mos e zbatojë obligimin ligjor për ofrimin e teksteve falas e madje as nuk i subvencionoi. U mjaftua vetëm me 30 euro për materiale mësimore, për të cilat me ligj nuk është e obliguar. Dhe cili është rezultati? Qeveria ka ndarë mbi 13 milionë euro për subvencionimin, prej të cilave mbi gjashtë milionë për tekste për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe mbi gjashtë milionë euro të tjera për mjetet dhe materialet mësimore për arsimin e detyrueshëm”, tha ajo.

Teksa ka aluduar në abuzime, Hoxha tha se situata me tekstet shkollore ka të bëjë me keqpërdorimet. Ajo shtoi se në këtë proces është shkelur edhe ligji për ndarjet buxhetore.

“Nëse vitin e kaluar për blerjen e teksteve janë shpenzuar 17 milionë, sikur më parë deri në atë vit, pse këtë vit MAShTI ka planifikuar vetëm 4, 3 milionë për blerjen e teksteve shkollore. E dyta, nëse këtë vit nga shtëpitë botuese kanë qenë afërsisht të njëjta si vitin e kaluar, janë dhënë çmime që thuhet edhe më të ulëta si rasti me shtëpinë botuese ‘Dukagjini’, e cila thotë se ka ofruar 4 për qind më lirë se vitin e kaluar, atëherë pse nuk u demantuan këto deklarime nga ana e MAShT-it duka na ofruar dokumente shtesë. Nëse çmimet e teksteve këtë vit janë më të lartë, pse MAShT nuk e ka bërë publike listën e çmimeve të teksteve shkollore që i ka paguar vitin e kaluar dhe ofertën e bërë këtë vit nga shtëpitë botuese”, deklaroi ajo gjatë debatit parlamentar.

Sipas saj, prindërit do të detyrohen të blejnë librat për fëmijët e tyre me çmim më të lartë.

“Nuk mund të mos përmend hipokrizinë e ministres, e cila dy muaj më parë kishte deklaruar se tekstet do të jenë falas. Këtë citat e gjeni në mediat tona në qershor, dhjetë ditë para fillimit të mësimit, e njëjta kishte hequr dorë nga obligimi i saj ligjor duke ja lënë topin e nxehtë në dorë prindërve, për idenë e rimbursimit dhe improvizimit. Në këtë proces ata që këta i quajnë ‘oligarkë’, prapë do të përfitojnë më së shumti sepse kujtoj që është logjik e thjesht ta dimë se çdo gjë që blejmë në treg me sasi të vogël, kushton më shumë se sa kosto e sasisë më të madhe”, shtoi ajo.

Më tej, gjatë deklarimit të saj tha se shkollat e Kosovës tash e tri vjet po e nisin vitin e ri shkollor mbrapsht.

“Ky është viti i tretë shkollor, i cili nis mbrapsht. Nuk ka as pandemi e nuk ka as greva. Por këtë vit nuk ka as kushte themelore për mësim. Nuk kishte tekste shkollore si mjet bazë për mësim që t’i prisnin nxënësit në tavolinat e tyre. Ka dështim në planifikim, në realizim e mbi të gjitha dështim në përmbushjen e obligimit ligjor për sigurimin e teksteve shkollore falas për të gjithë nxënësit e nivelit fillor dhe arsimit të mesëm të ultë për vitin shkollor 2023-2024… Mbi 220 mijë nxënës i vuajnë pasojat e dështimit të qeverisë për të siguruar falas tekstet shkollore, obligim ky ligjor nga Ligji për Edukimin Parauniversitar, specifikisht neni 3”, përfundoi Hoxha.

Ajo u shpreh se një standard i tillë i cili u krijua para sa kohësh, ishte mirëpritur nga prindërit dhe familjet në Kosovë.