Grupi Huthi i Jemenit ka thënë se ka shënjestruar një tanker saudite nafte në Detin e Kuq duke përdorur raketa balistike.
Zëdhënësi ushtarak i grupit lëshoi një deklaratë duke thënë se një cisternë nafte e quajtur Amzan që i përkiste Arabisë Saudite “u shënjestrua në brigjet e Yanbu në Arabinë Saudite me një raketë balistike”.
“Sulmi me raketa ishte i saktë dhe i drejtpërdrejtë, duke rezultuar në një zjarr të madh në anije”, tha ai, shkruan Al Jazeera.
Sulmi është konfirmuar edhe nga kompania kombëtare e transportit detar të Arabisë Saudite, Bahri, e cila tha se një nga anijet e saj është sulmuar në Detin e Kuq.
“Të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe nuk raportohet për lëndime”, tha Bahri në një deklaratë të ndarë në mediat sociale.
