Mjallaq Përgjika, një person i dënuar me 18 vite burg për vrasje, i ka shpëtuar një operacioni të zhvilluar nga forcat RENEA në qytetin e Korçës.
Forcat speciale zhvilluan kontrolle pas informacioneve se Përgjika mund të fshihej në një pallat në qytet. Pavarësisht kontrolleve të ushtruara, lokalizimi dhe kapja e tij nuk u bë e mundur.
Përgjika është një emër i njohur për kronikën e zezë. Ai është dënuar për vrasjen e Pëllumb Çollakut, 24 vjeç, i cili ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët më 26 dhjetor 2008. Trupi i të riut u gjet më 3 janar 2009 pranë aksit Korçë–Voskopojë, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Në qershor të vitit 2009, policia identifikoi Mjallaq Përgjikën si autor të dyshuar të krimit, ndërsa hetimet e kohës e lidhnin ngjarjen me pazare të drogës. Më pas ai u dënua me 18 vite burg.
Në listat e personave të kërkuar, Policia e Shtetit e ka publikuar atë me gjeneralitetet Mjallaq (Mihallaq) Petrika Përgjika, i datëlindjes 3 dhjetor 1981, nga Korça.
