Me kërkesë të ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonat përreth liqenit të Ujmanit është duke u zhvilluar një aksion për lirimin e disa pronave të uzurpuara në një parcelë të kësaj ndërmarrje, në këtë zonë të Kosovës.
Aksioni, siç merr vesh KosovaPress nga burimet e veta, ka nisur në orën 7 e 30 të mëngjesit.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka konfirmuar se policia është duke asistuar në këtë aksion.
Ky veprim vjen pas një paralajmërimi dhe kërkese paraprake që Ibër Lepenci u ka bërë 11 “pronarëve” që kanë ndërtuar objekte të ndryshme e shtëpi pushimi në hisen e ndërmarrjes, te Ujmani
“Bazuar në regjistrat zyrtarë dhe dokumentet e pronësisë, Ndërmarrja Publike e Ujërave ‘Ibër-Lepenc’ Sh.A. është pronare ligjore e parcelës kadastrale nr. P-72908033-02631-2, me sipërfaqe 32.998 m², e regjistruar në Zonën Kadastrale të Veli Bregut, Komuna e Zubin Potokut”, thuhet në kërkesë, e cila mban datën 3 korrik.
Në këtë kërkesë, siç kishte raportuar Mitropol më herët, personave në fjalë u ishte dhënë një afat prej 15 ditëve për të liruar menjëherë pronën e uzurpuar, për të hequr të gjitha sendet dhe ndërtimet e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe për ta kthyer pronën në gjendjen e mëparshme”.
Në të kundërtën, siç thuhej në kërkesë, pas skadimit të afatit, “Ibër-Lepenci” do të detyrohet të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj dhe për të liruar pronën, pa ndonjë paralajmërim të mëtejshëm; në këtë rast, të gjitha kostot dhe pasojat ligjore do të bien mbi pronarët”.
