Lajme

IKD-ja nis peticionin për ndryshimin e Kodit Penal

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me këtë nismë do të kërkohet që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të parashikohen si vepra penale.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, tha se për procedimin e kësaj nisme në Kuvend nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime, ndërsa synimi i institutit është që ky numër të jetë edhe më i lartë.

Në një deklaratë për media, Jakaj tha se dy ndryshimet e propozuara kanë për qëllim forcimin e llogaridhënies, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.

Jakaj tha se politikat sociale duhet të jenë të qëndrueshme dhe të bazuara në ligj, duke ngritur shqetësimin për ndarjen e mjeteve publike në periudha të afërta me zgjedhjet.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë politika sociale. Meritojnë mbështetje nga shteti. Meritojnë shtesa fëmijët. Meritojnë pensione dinjitoze pensionistët. Meritojnë mbështetje për lehonat. Meritojnë mbështetje punëtorët. Por, këto politika duhet të ndërtohen mbi ligj. Duhet të jenë të qëndrueshme. Duhet të jenë të parashikueshme. Jo të varen nga afërsia e zgjedhjeve. Në dy palët e fundit të zgjedhjeve kemi parë vendime për ndarjen e mjeteve publike vetëm pak ditë para votimit”, tha ai.

Sipas tij, përdorimi i parasë publike duhet të jetë në funksion të interesit të qytetarëve dhe jo të interesave partiake apo elektorale.

“Këto veprime, me të drejtë ngrisin dyshime dhe debat publik nëse buxheti i shtetit po përdoret për politika sociale apo për përfitim elektoral. Demokracia nuk duhet të lërë hapësirë për dyshime të tilla. Paraja publike është e qytetarëve. Ajo duhet të përdoret për interes publik. Jo për interesa partiake apo elektorale. Pikërisht për këtë arsye propozojmë që përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale”, tha Jakaj.

Duke folur për propozimin e dytë, Jakaj tha se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese cenon autoritetin e Kushtetutës.

“Po aq i rëndësishëm është edhe ndryshimi i dytë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare. Janë të detyrueshme. Dhe duhet të zbatohen nga të gjitha institucionet. Megjithatë, në Kosovë kemi parë raste kur ato nuk janë zbatuar. Një nga shembujt më të qartë është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Gjykata obligoi Kuvendin që, brenda gjashtë muajve, ta harmonizonte ligjin. Kjo nuk ndodhi. Si rezultat, edhe sot mbi 94 mijë zyrtarë publikë nuk kanë përfituar pagesat që burojnë nga ky aktgjykim. Kur nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk cenohet vetëm një aktgjykim. Cenohet autoriteti i Kushtetutës”, tha ai.

Ai theksoi se nisma nuk është e drejtuar kundër ndonjë partie politike apo individi, por synon forcimin e shtetit të së drejtës.

Ai ka shpjeguar edhe procedurën që do të ndiqet pas mbledhjes së nënshkrimeve, duke thënë se ato do t’i dorëzohen Kuvendit dhe do të verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Të Ngjashme