“Nuk është mjekësia shqiptare vetëm Onkologjiku!”, kështu deklaroi deputetja socialiste Iris Luarasi, një deklaratë që në pamje të parë synonte të vinte në dukje “transformimin” e sistemit shëndetësor, por që mjaftoi të prekë një realitet tjetër të trishtë në vendin tonë.
Studiuesja në Institutin e Historisë Sonila Boçi Pepivani nuk ka zgjedhur të lërë pa përgjigje atë që u tha dy ditë më parë në studion e emisionit “Top Story”. Përmes një reagimi publik, ajo ia ka kthyer deputetes socialiste me një panoramë krejt tjetër nga ajo e çarçafëve të pastër dhe krevatëve modernë që Luarasi tha në emision.
E meqënëse deputetja tha se shëndetësia shqiptare nuk identifikohet vetëm me Onkologjikun, historiania e cila vite më parë u diagnostikua nga kanceri, ka vendosur që t’i tregojë dhe shërbimet e tjera Luarasit, si përshembull Kardiologjinë ku dhe ka kaluar një përvojë personale.
Në këtë reagim të saj ajo ka përshkruar një realitet që nuk ka shumë lidhje me “krevatët që ulen dhe ngrihen” apo me standartet e qëndrueshme, por me pajisje të vjetra, mungesa dhe një sistem që sipas saj shpesh e lë pacientin në kufijtë e mbijetesës.
“Do të flas për Kardiologjinë, në pavijonin e kirurgjisë së së cilës u operua bashkëshorti im tre vite më parë. Pak çaste para operacionit u thye këmba e tavolinës së operacionit sapo ai u shtri mbi të. Krevati ku qëndroi pas ndërhyrjes dukej sikur i përkiste shekullit XIX dhe e vetmja gjë që mbaj mend janë ankesat e tij të vazhdueshme për dhimbjet e kurrizit, të shkaktuara nga sustat e dala. Po prej shek. XIX dukej sikur ishte edhe dhoma me katër shtretër ku qëndroi pas operacionit”, shkruan historiania, duke mos u ndalur vetëm te infrastruktura, por ka shkuar më tej, edhe te barnat që mungojnë, te kimioterapitë që ndërpriten, te aparaturat që nuk funksionojnë dhe te pritjet e gjata që sipas saj e bëjnë trajtimin një betejë më vete.
See also Tragjedia në Maldive, çfarë është “efekti Venturi” që mund të ketë shkaktuar vdekjen e pesë zhytësve italianë“Unë pres me muaj, si paciente e Onkologjikut, për të bërë skanerin, ekon apo kontrollet e planifikuara, ashtu siç presin mijëra pacientë të tjerë”, shkruan ajo më tej, duke i bërë një ftesë Luarasit që të vizitojë Onkologjikun dhe të shohë me sytë e saj dhimbjen që njerëzit në ato korridore kanë, e kjo për shkak të mungesës se medikamenteve dhe shumave të majme që u duhen të paguajnë!
Reagimi i plotë:
Shumë zhgënjyese të dëgjosh një deklaratë të tillë nga një anëtare e Parlamentit, e cila vjen nga bota akademike dhe shoqëria civile.
Nuk do të flas për Onkologjikun, i cili, mesa duket, nuk përcaktoka standardin e mjekësisë shqiptare. Për përvojën time në atë spital kam shkruar edhe më parë.
Do të flas për Kardiologjinë, në pavijonin e kirurgjisë së së cilës u operua bashkëshorti im tre vite më parë. Pak çaste para operacionit u thye këmba e tavolinës së operacionit sapo ai u shtri mbi të. Krevati ku qëndroi pas ndërhyrjes dukej sikur i përkiste shekullit XIX dhe e vetmja gjë që mbaj mend janë ankesat e tij të vazhdueshme për dhimbjet e kurrizit, të shkaktuara nga sustat e dala. Po prej shek. XIX dukej sikur ishte edhe dhoma me katër shtretër ku qëndroi pas operacionit.
Bashkëshorti im dhe unë kemi një status social që, po të donim, do të na lejonte ta merrnim shërbimin “sot për nesër”, siç thoni ju, znj. Luarasi. Kemi miq e shokë që do të na ndihmonin nëse do t’ua kërkonim. Por kemi zgjedhur të zbatojmë rregullat, të presim radhën dhe të mos ia marrim atë dikujt tjetër.
See also “Rama n’burg, Berisha n’burg”/ Mbi 5 orë protestë në Tiranë, qytetarët marshojnë në rrugët e kryeqytetit: Bashkohuni me neUnë pres me muaj, si paciente e Onkologjikut, për të bërë skanerin, ekon apo kontrollet e planifikuara, ashtu siç presin mijëra pacientë të tjerë.
Sa për infrastrukturën spitalore, aparaturat për ekzaminime e trajtime, kimioterapitë dhe medikamentet që herë janë e herë mungojnë, personelin e pamjaftueshëm dhe shërbimin që qytetarët meritojnë, është e drejta ime t’i kërkoj. Dhe nuk do të lodhem së kërkuari, për sa kohë të kem jetë.
Ju ftoj të vizitoni një herë Onkologjikun. Dua ta shihni nga afër dëshpërimin në fytyrën e një prindi kur spitali nuk ka medikamentet e kimioterapisë dhe ai nuk ka mundësi t’i blejë ato për vajzën e tij 30-vjeçare. Ose raskapitjen dhe irritimin e një gruaje që la bashkëshortin duke bërë kimioterapi dhe vraponte farmacive për të gjetur një pompë të domosdoshme për vazhdimin e trajtimit në shtëpi. Të dy ishin mësues, me pesë fëmijë për të rritur. Për buxhetin e tyre, 4 000 lekë të reja për një pompë ishte një barrë e rëndë.
Jo të gjithë kanë statusin tuaj social për ta marrë shërbimin “sot me nesër”. Shumica e atyre që kurohen në spitalet publike janë njerëz me të ardhura të pakta, pa mundësi dhe pa privilegje.
Edhe nëse kjo mrekulli e infrastrukturës ka ndodhur në disa shërbime, si p.sh. në Kirurgjinë e Përgjithshme, spitali nuk është vetëm godina apo fasada. Spitali janë aparaturat që funksionojnë, medikamentet që nuk mungojnë, personeli i mjaftueshëm dhe shërbimi që i ofrohet çdo pacienti pa dallim.
Kur t’i siguroni këto, do t’ju bashkohem edhe unë në entuziazmin për ndryshimet rrënjësore në mjekësi. Deri atëherë, do të vazhdoj të ngre zërin për ato që shoh dhe përjetoj çdo ditë.
