Lajme

“Ishin të mbushur me bomba deri dje”, Halilaj sulmon ata që kërkojnë dorëheqjen e Gërvallës

Avokati Gazmend Halilaj ka reaguar lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, duke kritikuar kërkesat për llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas vrasjes së rëndë në Vitomiricë të Pejës.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, Halilaj ka deklaruar se, sipas tij, hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët që i konsideron të dështuar nuk janë emëruar nga qeveria Kurti apo ministrja Gërvalla, por janë trashëguar nga qeverisjet e mëparshme, të cilat ai i lidh me të ashtuquajturin “klani Pronto”.

“Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët e dështuar nuk na i solli qeveria Kurti e as ministrja Donika Gërvalla, ata i gjetën në mesin tonë të sjellur nga klani Pronto. Paraprakisht të mbushur me diploma e tituj e me pasuri të cilën as vetë nuk e dinë kah e kanë”, ka deklaruar Halilaj, transmeton “Bota sot”.

Ai ka kritikuar gjithashtu kërkesat për përgjegjësi politike ndaj ministres së Drejtësisë, duke pretenduar se ato burojnë nga një konfuzion mes asaj që e quan fantazi dhe realitet.

“Kërkimi i llogaridhënies dhe përgjegjësisë drejtuar ministres së Drejtësisë, tregon që kanë një konfuzion të madh mes fantazisë dhe realitetit. Shkoni kërkoni llogari tek ata që po i nxjerrin në rrugë. Kush po e kërkon drejtësinë, ata të mbushur me bomba deri dje!…”, ka thënë Halilaj në reagimin e tij.

Reagimi vjen në një kohë kur vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta publike dhe protesta, me kërkesa për zbardhjen e plotë të rastit dhe llogaridhënie institucionale për veprimet dhe mosveprimet e mundshme të zyrtarëve përgjegjës.

Të Ngjashme