Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Jabllanoviq: situata në veri mund të përshkallëzohet gjatë vikendit

I akuzuari Dragan Jabllanoviq-ish kryetar i Leposaviqit në gjykim ndaj tij dhe 14 të tjerëve të akuzuar për korrupsion dhe vepra tjera penale, kërkoi nga gjykata që seancat e radhës për këtë rast të caktohen për data më të largëta pasi që sipas tij, situata në veri është e tensionuar dhe pritet që në vikend të tensionohet edhe më tutje.

“Unë ju lutem si trup gjykues që të presim pak ditë sa të kaloj situata në veri, kjo mundet gjatë vikendit edhe të eksaloj, deri në vikend edhe Qeveria e Kosovës do të deklarohet se a e pranon atë marrëveshje apo jo. Më mirë është që jetët tona t’i mbrojmë të presim pak derisa të përmirësohet gjendja në veri”, tha i akuzuari Jabllanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, ish-kryetari i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ndërkaq, gjykimi i ditë së enjte ka dështuar të mbahet në mungesë të akuzuarve Xhemajli Ferizi dhe Haki Haxhiu po ashtu është anuluar seanca e planifikuar për 9 qershor të këtij viti.

Mrojtësi i të akuzuarit Ferizi avokati Ymer Beka dhe mbrojtësi i të akuzuarit Haxhiu, avokati Ahmet Tahiri thanë se ditëve në vijim do t’i bashkëngjisin dokumentacionin për të arsyetuar mungesën e të akuzuarve.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme dështoi, duke u caktuar e radhës me 26 korrik të këtij viti.