Lajme

Jagxhiu: Teknologjitë e hapura janë kyçe për sovranitetin digjital të Kosovës

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka theksuar rëndësinë e teknologjive të hapura dhe zhvillimit të kapaciteteve vendore për të ardhmen digjitale të Kosovës.

Duke folur në hapje të edicionit të 11-të të Software Freedom Kosova, të organizuar nga FLOSSK, Jagxhiu tha se transformimi digjital i vendit duhet të fokusohet në zgjerimin e shërbimeve elektronike, modernizimin e infrastrukturës qeveritare, kalimin në cloud, interoperabilitetin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.

Sipas tij, zgjedhjet teknologjike të institucioneve nuk duhet të krijojnë varësi afatgjata, ndërsa standardet e hapura, portabiliteti i të dhënave dhe teknologjitë open source janë të rëndësishme për ruajtjen e fleksibilitetit teknologjik.

Në lidhje me inteligjencën artificiale, ministri tha se vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te vendi ku ruhen të dhënat, por edhe te infrastruktura mbi të cilën funksionojnë modelet dhe aplikacionet.

Jagxhiu theksoi se sovraniteti digjital kërkon edhe investim në njerëz dhe dije, përmes mbështetjes për universitetet, startup-et, kompanitë teknologjike, institucionet publike dhe komunitetet teknologjike.

Ai vlerësoi edhe rolin e FLOSSK në zhvillimin e një kulture ku teknologjia jo vetëm përdoret, por edhe kuptohet, zhvillohet dhe përmirësohet.

“Transformimi digjital nuk matet vetëm me numrin e shërbimeve që digjitalizohen, por edhe me mënyrën se si ndërtohen ato dhe me kontrollin që ruhet mbi të ardhmen digjitale të Kosovës”, u shpreh Jagxhiu.

Të Ngjashme