Lajme

“Ka dashur ta mbrojë, por e ka fundosur”, analisti ngre pikëpyetje për autorësinë e intervistës së Thaçit/ Ja dyshimet e tij

Analisti Milaim Nela ka reaguar pas intervistës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me gazetarin Ermal Panduri, duke shprehur dyshime se deklaratat e publikuara nuk janë shkruar nga vetë Thaçi.

Nela, përmes një reagimi, ka thënë se intervista i krijon përshtypjen se është përgatitur nga dikush tjetër, me qëllim që ta mbrojë Thaçin në prag të vendimit të Gjykatës Speciale, por sipas tij, efekti ka qenë i kundërt.

“Intervista e Hashim Thaçit tek Ermal Panduri dyshoj fort se nuk është e tij. Duket se është shkruar nga dikush që ka dashur ta mbrojë në prag të vendimit të Gjykatës Speciale, por në fakt e ka fundosur!”, ka shkruar Nela.

Ai ka ngritur disa pikëpyetje lidhur me përmbajtjen e intervistës, duke përmendur fillimisht një deklaratë të Thaçit për kohën kur delegacioni shqiptar ishte takuar me Bob Dole në Shkup.

“E para, nuk besoj se Thaçi të mos e mbajë mend që në kohën e takimit të delegacionit shqiptar me Bob Dole në Shkup ka qenë në Tiranë me Paskal Milon e jo në male të Sharrit!”, ka deklaruar ai.

Nela ka kritikuar gjithashtu vlerësimin që, sipas tij, Thaçi i ka bërë kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Sipas analistit, qëndrimi pozitiv ndaj Ramës është i vështirë të shpjegohet, duke marrë parasysh rolin që ai ia atribuon Ramës në disa zhvillime politike që kanë prekur Kosovën.

“E dyta, vlerësimi për Edi Ramën që fluturoi me helikopter nga Tirana për ta bindur të votojë me çdo kusht Gjykatën Speciale, e futi në lojën e ‘Ballkanit të Hapur’, pastaj në skenarin e ndarjes së Kosovës, dhe tani bën sikur e mbron, nuk mund të shpjegohet me racionalitet!”, ka shkruar Nela.

Në fund, ai ka ngritur tri mundësi për arsyen e këtij qëndrimi, duke thënë se Thaçi ose mund të ketë probleme me logjikën e arsyetimit, ose mund të jetë i shantazhuar, ose intervista nuk është shkruar nga vetë ai.

“Ose Thaçi ka probleme serioze me elementet bazikë të logjikës e arsyetimit, është i shantazhuar ose nuk është vetë ai!”, përfundon reagimi i analistit Milaim Nela.

Të Ngjashme