Lajme

Kallëzim penal ndaj Ivica Daçiqit në Kosovë, kërkohet fletarrestim ndërkombëtar

Avokati Gent Gjini nga Prizreni ka përgatitur kallëzim penal kundër zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, për shkak të deklaratave të tij për ripushtimin e Kosovës dhe valëvitjen e flamurit serb në Prizren. Përmes këtij kallëzimi, të drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kërkohet edhe lëshimi i një fletarrestimi ndërkombëtar ndaj politikanit serb.

Në dokumentin e datës 12 tetor 2026, të cilin e ka siguruar kp, avokati Gjini pretendon se deklaratat e Daçiqit përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kallëzimi penal i referohet deklaratës së Daçiqit se Serbia do ta ripushtojë Kosovën dhe se flamuri serb një ditë do të valëvitet në Prizren.

Sipas avokatit, deklarata të tilla, të bëra gjatë një tubimi elektoral në Serbi, kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët e Kosovës dhe përbëjnë vazhdimësi të pretendimeve territoriale të Beogradit.

Në dokument thuhet se Daçiq ka deklaruar gjithashtu se është detyrë e tyre të respektojnë gjithçka që ka bërë ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq.

Gjini vlerëson se këto qëndrime mund të nxisin urrejtje dhe të cenojnë sigurinë e Kosovës.

“Deklaratat ekstreme radikale nacionaliste e këtij zëvendëskryeministri nxisin me padyshim spastrimin e popullit shqiptar e ‘rithekson atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, për projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve’”, thuhet në kallëzimin penal.

Avokati ka kërkuar që ndaj Daçiqit të ndërmerren veprime penale, duke pretenduar se deklaratat e tij përbëjnë elemente të veprës penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Në kallëzim përmendet neni 141 i Kodit Penal të Kosovës, që lidhet me këtë vepër penale.

Kërkohet aktivizimi i INTERPOL-it

Përveç ndjekjes penale, Gjini ka kërkuar që ndaj Daçiqit të lëshohet fletarrestim ndërkombëtar, përmes mekanizmave të INTERPOL-it dhe bashkëpunimit me autoritetet e shteteve mike.

Sipas tij, pozita shtetërore e Daçiqit dhe mundësia e udhëtimit të tij në vende të ndryshme evropiane duhet të merren parasysh nga autoritetet kompetente.

Në arsyetimin e kërkesës, avokati pretendon se deklaratat e politikanit serb përbëjnë rrezik potencial për sigurinë e Republikës së Kosovës.

Ai kërkon që institucionet e drejtësisë të reagojnë ndaj asaj që e cilëson retorikë shoviniste dhe kërcënuese.

Në kallëzim përmendet edhe reagimi i Michael Rothit

Në dokument përfshihet edhe reagimi i ish-ministrit gjerman për Evropën, Michael Roth, i cili kishte kritikuar deklaratat e Daçiqit për flamurin serb në Prizren.

“Serbia e gjorë! Ivica Daçiq dëshiron që flamuri serb të valëvitet mbi Prizren. Pretendimet territoriale ndaj një fqinji më lënë pa fjalë”, citohet të ketë shkruar Roth.

Ai kishte vlerësuar se qëndrime të tilla e largojnë Serbinë nga integrimi evropian.

Kallëzimi penal mban datën 12 tetor 2026 dhe është nënshkruar nga avokati Gent Gjini.

Megjithatë, nga dokumentet e siguruara nuk mund të konfirmohet nëse kallëzimi është dorëzuar dhe regjistruar zyrtarisht në Prokurorinë Speciale, apo nëse kjo e fundit ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me kërkesën.

Të Ngjashme