Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Keqpërdorimet me ndërtimin e rrugëve në Suharekë, njëri nga të arrestuarit zyrtar i AAK’së, flet Kryetari Bali Muharremaj

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit, prangosën sot Drejtorin e Shërbimeve Publike në Suharekë, Enver Shabani dhe Berat Kabashin. Të njëjtit, me urdhër të prokurorit u ndaluan për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim dhe mashtrim me prokurim publik”. Me një kërkim të thjeshtë në internet, Enver Shabani del se është pjesë e AAK-së.

Sipas njoftimit të policisë, Enver Shabani dhe Berat Kabashi, në cilësi të personave zyrtarë kanë qenë të caktuar për menaxhim dhe mbikëqyrje të kontratës për ndërtimin e disa rrugëve në një fshat të komunës së Suharekës (Mushtisht), në vitin 2022, ku vlera e kësaj kontrate ka qenë dhjetëra mijë euro.

Por, sipas policisë është konstatuar se kontrata nuk është realizuar siç ka qenë e paraparë.

Madje, ekzistojnë dyshime se të përmendurit më lartë “kanë përpiluar procesverbaleve, dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në teren kjo kontratë nuk është realizuar”.

Lidhur me këto dy arrestime, Gazeta Express ka kontaktuar kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, i cili tha se arrestimi i tyre nuk ka ndodhur në oborrin e komunës.

“Qysh jeni njoftu ju (për rastin), e kemi lexu edhe nëpër portale. Nuk janë arrestu në oborrin e komunës, janë ndaluar për 48 orë që është çështje e organeve të shtetit”, tha Muharremaj.

I pyetur se për ndërtimin e cilës rrugë bëhet fjalë, ai tha: “Po shkruan për Mushtisht, qysh e keni lexu ju edhe ne”.

Ndërsa, Muharremaj nuk dha detaje se anëtarë të cilës parti politike janë dy të dyshuarit për keqpërdorim të pozitës lidhur me ndërtimin e rrugëve në Mushtisht.

“Në komunë nuk ka parti, ka punëtorë të komunës dhe drejtora. Enver Shabani është drejtor”, tha Muharremaj.

Ai tha se arrestimet nuk mund që t’i përzien me parti politike.

“Derisa jam kryetar i komunës, ata kanë punu për interes të qytetarëve, nuk mundem me përzi këtë punë me parti”, përfundoi ai.