Lajme

Keranov: Stabiliteti i Kosovës është i rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit

Dimitar Keranov, president i Institutit të Shkencave Politike në Varna të Bullgarisë, vlerëson se ka ardhur koha për një partneritet më të fortë mes Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në analizën e tij, Keranov, i cili merret me çështje të demokracisë, kapjes së shtetit dhe ndikimit rus e kinez në Evropën Qendrore dhe Lindore, thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së rrugës evropiane të Kosovës.

“Marrëdhëniet e Bullgarisë me Shqipërinë dhe Kosovën janë të veçanta në Ballkan. Ato nuk janë të rënduara nga mosmarrëveshje territoriale, pretendime historike konkurruese apo trashëgimi konfliktesh dypalëshe. Kjo u jep Sofjes, Tiranës dhe Prishtinës hapësirë politike për bashkëpunim, që është i rrallë në rajon. Ky potencial nuk ka mbetur i pashfrytëzuar. Bullgaria e njohu Kosovën më 20 mars 2008, më pas e ngriti zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë në nivel ambasade dhe ka mbështetur vazhdimisht pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare. Sofja e konsideron zhvillimin e një Kosove stabile dhe demokratike si një komponent të rëndësishëm të arkitekturës së sigurisë në Ballkan”, shkruan ai në analizën e tij.

Sipas tij, Marrëdhënia e Bullgarisë me Shqipërinë bazohet në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të vitit 1993, ndërsa ligji i Shqipërisë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, i miratuar në vitin 2017, e njohu zyrtarisht pakicën kombëtare bullgare, duke krijuar bazë ligjore për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës së saj. Kjo ka rëndësi të veçantë për Sofjen, sidomos duke pasur parasysh vështirësitë dhe diskriminimin me të cilat janë përballur komunitetet bullgare në disa vende të tjera të rajonit, veçanërisht në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Tani është momenti i përshtatshëm që kjo bazë pozitive të marrë një drejtim më të qartë strategjik. Shqipëria ka avancuar me shpejtësi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave dhe më 14 korrik ka mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë: shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë. Pozita e Kosovës është ndryshe. Ajo aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por Këshilli i BE-së ende nuk i ka kërkuar Komisionit Evropian të japë opinionin e tij, një hap i nevojshëm procedural që aplikimi të ecë përpara. Megjithatë, qytetarët e Kosovës që nga janari i vitit 2024 mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen për qëndrime të shkurtra. Bullgaria nuk duhet t’i trajtojë Shqipërinë dhe Kosovën si një çështje të vetme politike. Shqipëria është një vend kandidat që po hyn në fazën më kërkuese të procesit të anëtarësimit, ku përputhja me rregullat e BE-së duhet të shoqërohet me kapacitete administrative, institucione efektive dhe zbatim të besueshëm”, tha ai.

Duke shtuar se Kosova kërkon një lloj tjetër mbështetjeje: një përkrahje të vazhdueshme për perspektivën e saj evropiane, jo vetëm në deklarata, por në aspektin institucional.

Të Ngjashme