Lajme

Kërçeli demanton blerjen e energjisë nga Serbia: KEK-un që e shitët ju, ne po e blejmë, hajde ta kthejmë në pronësi të shtetit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka reaguar ndaj pretendimeve të opozitës për importimin e energjisë elektrike nga Serbia dhe kompania EFT, duke i cilësuar ato si dezinformata dhe duke kërkuar që debati për këtë çështje të zhvillohet mbi fakte dhe dokumente.

Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Kërçeli ka dhënë sqarime për mënyrën se si bëhet importimi i energjisë elektrike, duke theksuar se pjesën dërrmuese të energjisë së importuar për furnizim dhe mbulimin e humbjeve në rrjet e sigurojnë KESCO dhe KEDS, të cilat, sipas tij, janë kompani private.

Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk importon energji elektrike dhe se qytetarët, për shqetësimet lidhur me furnizimin, duhet t’u drejtohen kompanive përgjegjëse.

Kërçeli ka shfrytëzuar këtë debat edhe për t’i bërë një thirrje opozitës që të bashkohet me pushtetin për rikthimin e KEK-ut në pronësi shtetërore, duke kujtuar se, sipas tij, opozita e kishte shitur këtë ndërmarrje.

«Hajde po bëhemi të gjithë bashkë, hajde po ulemi e po punojmë të gjithë bashkë dhe po e kthejmë KEK-un. Hajde po e shtetëzojmë KEK-un. Hajde po e shtetëzojmë KEK-un që ju e keni shitur. Hajde bashkë, ju e shitët KEK-un e ne po e blejmë vetë. Hajde bëhemi bashkë dhe po e kthejmë atë në pronësi të Republikës së Kosovës. A jeni të gatshëm?», ka deklaruar ai.

Duke folur për rolin e ndërmarrjeve në importimin e energjisë, deputeti i LVV-së ka sqaruar se KEK-u nuk importon energji elektrike në kuptimin e furnizimit të përgjithshëm të vendit, por blen sasi të vogla, kryesisht në bursën shqiptare ALPEX.

Sipas tij, këto blerje bëhen në dy raste: kur KEK-u nuk arrin të prodhojë sasinë e planifikuar të energjisë dhe kur duhet të furnizojë ndërmarrjet që operojnë në tregun e liberalizuar.

Ai ka thënë se çmimet në bursat energjetike janë të qasshme për publikun dhe se, aktualisht, çmimi më i lirë është në ALPEX, një bursë shqiptaro-kosovare.

«Të gjithë keni qasje në internet, mund t’i shikoni çmimet në bursë. Çmimi më i lirë është në ALPEX për momentin. Hyni të gjithë tani dhe shikoni. Ju të gjithë e dini që rryma është shtrenjtuar në krejt botën. Hyni tash dhe shikoni në bursë: çmimi më i lirë është në ALPEX, në një kompani shqiptaro-kosovare», ka deklaruar Kërçeli.

Ai ka përmendur edhe kompaninë Elektrosever, duke thënë se nga 1 janari 2024, kur ka filluar faturimi në komunat veriore të Kosovës, kjo kompani ka nisur të importojë energji elektrike.

Sipas Kërçelit, Elektroseveri është furnizues që është krijuar në bazë të marrëveshjeve të Brukselit gjatë qeverisjes së mëparshme.

«Që nga 1 janari 2024, kur filloi faturimi në komunat veriore, importon edhe furnizuesi Elektrosever, furnizues që e sollët ju me marrëveshjet e Brukselit. E solli qeveria juaj», ka thënë ai.

Ndërkaq, ai ka theksuar se pas liberalizimit të tregut të energjisë, në vitin 2025, importimin e energjisë e kanë bërë edhe disa furnizues të vegjël.Një pjesë të rëndësishme të fjalimit të tij, Kërçeli ia ka kushtuar pretendimeve për blerjen e energjisë elektrike nga kompania EFT dhe kompanitë serbe.

Ai i ka cilësuar këto pretendime si dezinformata, duke thënë se deri më tani askush nuk ka paraqitur dëshmi se gjatë qeverisjes së LVV-së, KEDS-i, KESCO apo KEK-u kanë blerë energji nga EFT-ja ose nga kompanitë e Serbisë.

«Këtu disa herë është thënë se po blihet energji nga EFT-ja apo Serbia. Kjo është dezinformatë e pastër. Deri më sot, askush nuk ka paraqitur asnjë fakt që, gjatë qeverisjes sonë, KEDS-i apo KESCO, e aq më pak ndërmarrja KEK, kanë blerë energji nga EFT-ja apo nga kompanitë e Serbisë. Nuk ka asnjë fakt, asnjë fakt nuk kanë»,

Të Ngjashme