Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit avokatit Hamdi Jashari, për shkak të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 424 paragrafi 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
I pandehuri i lartcekur është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit më 08.06.2023, pas veprimeve hetimore të ndërmarra në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Dyshohet se Jashari në cilësinë e avokatit mbrojtës të një pale ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, me premtimin që këto para t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i pandehuri.
Prokurori i çështjes në koordinim me Policinë janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast.