Prokuroria Publike ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për tre personat e dyshuar në rastin e ndotjes së ujit të pijshëm në sistemin e ujësjellësit të Gostivarit. Këtë e bëri të ditur prokurori Hazbi Iseni.
Më herët gjatë ditës, tre të dyshuarit u paraqitën para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gostivarit, pasi Prokuroria hapi hetim për veprën penale “vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të shkaktuara me ndotjen e ujit të pijshëm”.
Para gjykatës u paraqitën ushtruesja e detyrës drejtoreshë e NP “Komunalec” – Gostivar, udhëheqësi teknik, si dhe përgjegjësi i Departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore.
Tre personat e përfshirë në hetim dyshohen për veprën penale “vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës”, që lidhet me ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar./tvshenja/
