Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Këshilltari i Besnik Bislimit: Vuçiqit po i dalin rrenat në shesh, e për çudi atij po i beson faktori ndërkombëtar

 
   

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ka thënë se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i dalin dita e ditës në shesh gënjeshtrat. Por, Klisman Kadiu ka thënë se për befasi Vuçiqit po vazhdon t’i besojë faktori ndërkombëtar.

Kadiu ka përmendur një intervistë ku Vuçiqi tha javën e kaluar se nuk i kontrollon dhe s’mund të ndikojë te bandat dhe serbët në veri të Kosovës.

Ai po ashtu ka përmendur deklaratën e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që të mërkurën tha se Vuçiqi i ka premtuar se do të ndikojë te serbët në veri që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

“Tash, a i kontrollon apo nuk i kontrollon? A ka ndikim apo nuk ka ndikim? Pse flet me kaq siguri për sjelljen e serbëve Vuçiq, kur sipas fjalëve të tij nuk i kontrollon ata? Ku e merr këtë guxim për të dhënë siguri veç një javë më vonë tek ndërkombëtarët? Përgjigja është e thjeshtë: rrenat e Vuçiqit, po i ekspozon vetë Vuçiqi. Përmes kundërthënieve të tij. Çuditërisht vetëm për faktorin ndërkombëtar është i besueshëm. Presidentit të Serbisë po i intereson ruajtja e status quos, kaosit, e tentativat e panumërta për destabilizimin e Kosovës. Atij i pengon progresi i vendit tonë, i pengojnë marrëveshjet e mëhershme dhe të tashme që duhet t’i zbatojë, i pengon shteti i Kosovës. Sepse siç ka thënë dhe ai vetë në 2018, ‘nuk e kam ndërmend ta dorëzoj veriun e Kosovës’. E kështu pra thoshte në 2018 ky person, që në CNN thotë se ‘nuk i kontrollon bandat në veri’”, ka shkruar Kadiu.