Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka zhvilluar një vizitë në Komandën Rajonale Perëndim (RC-W), në kuadër të zonës së përgjegjësisë së saj.
Gjatë vizitës, komandanti i RC-W-së, kolonel Giuseppe De Blasi, e njoftoi Vergorin për operacionet dhe aktivitetet trajnuese që janë duke u zhvilluar.
Po ashtu, gjeneralmajor Vergori u takua me kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati, në objektin e komunës. Në takim u diskutua për situatën e sigurisë në nivel lokal dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve lokale.
KFOR-i bëri të ditur se përshtatja e pranisë së tij në Kosovë është proces gradual, i bazuar në vlerësimin e kushteve të sigurisë dhe që mund të rishikohet.
Komandanti Vergori ritheksoi se çdo ndryshim në praninë e KFOR-it nuk e ndryshon mandatin e tij të OKB-së dhe as përkushtimin për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.
