Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Pejë ka kandiduar Drin Veselajn në garën për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Ju njoftoj se do të jem kandidat për deputet nga radhët e AAK në zgjedhjet e 7 qershorit.
Rrugëtimi im politik ka nisur që nga viti 2007, jam në rresht me Ramushin, duke kaluar nëpër sfida të shumta dhe procese që kanë kërkuar përkushtim, qëndrueshmëri dhe besnikëri ndaj parimeve.
Gjatë këtyre viteve kam pasur nderin të mbaj një sërë përgjegjësish: Kryetar i Rinisë, Nënkryetar i Forumit Rinor në nivel qendror, Sekretar i Degës për disa mandate, Nënkryetar i Degës, anëtar i Këshillit Drejtues të partisë, si dhe Asambleist në Komunën e Pejës për disa mandate. Secila prej këtyre detyrave ka qenë një sfidë më vete, por edhe një mundësi për të dhënë kontribut konkret dhe për të arritur rezultate të prekshme.
Ky kandidim nuk është vetëm një hap i radhës, por një vazhdim i një rrugëtimi të gjatë në shërbim të qytetarëve dhe të vizionit që ndajmë së bashku” shkruan Veselaj në njoftim.
