Lajme

Konfirmohet rasti i parë me Virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri

Është konfirmuar rasti i parë me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV) në Shqipëri për vitin 2026.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se rasti është evidentuar gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht në qarkun e Korçës.

Sipas Ministrisë, që prej fillimit të vitit janë testuar 30 mostra nga raste të dyshuara për infeksion me Virusin e Nilit Perëndimor, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti i evidentuar në gusht është i pari i konfirmuar në vend për këtë vit.

Pas konfirmimit, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka vijuar survejancën epidemiologjike në njerëz, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit, si dhe monitorimin e situatës në vend.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe është evidentuar edhe në Shqipëri gjatë viteve të mëparshme.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan dy raste të konfirmuara.

Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës dhe survejancën për evidentimin në kohë të rasteve të reja.

Të Ngjashme