![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2023/08/konjufca-dhe-senatorja-fernandez-flasin-per-forcimin-e-marredhenieve-kosove-shba_64db7e2787598.jpeg?resize=850%2C478&ssl=1)
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca takoi sot senatoren e shtetit të Nju Jorkut, Nathalia Fernandez.
Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryetari Konjufca falënderoi Senatoren Fernandez për kontributin e pakrahasueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Shtetit të Nju Jorkut ndaj vendit tonë, si dhe për meritat e Senatit dhe Kongresit Amerikan në intensifikimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona.
Kreu i Kuvendit shprehu mirënjohje për punën e saj të jashtëzakonshme ndër vite me komunitetin e gjerë shqiptaro-amerikan në Nju Jork, komunitetin që, siç tha kryetari Konjufca, është simboli më i mirë i raporteve të ngushta historike mes popujve tanë, interesave dhe synimeve tona të përbashkëta.
Fokus i bisedës ishin marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve mike dhe aleate, si pikënisje nga ku merr kahe vazhdimësia dhe thellimi i mëtejmë i raporteve miqësore.