Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë vizitës së tij zyrtare në Strasburg, zhvilloi takim me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, me të cilin diskutoi për procesin e anëtarësimit të Kosovës dhe sfidat aktuale në këtë drejtim.
Zëvendëskryeministri theksoi se procesi është përmbyllur në aspektin institucional, duke rikujtuar vlerësimin pozitiv të Asamblesë Parlamentare se Kosova i përmbush të gjitha kriteret për anëtarësim.
Ai nënvizoi se vonesat lidhen me dinamika politike jashtë kornizës së organizatës, duke shprehur shqetësimin për ndikimin e tyre në besueshmërinë e proceseve dhe në të drejtat e qytetarëve të Kosovës. Në këtë kontekst, ai ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Gjatë kësaj vizite, Konjufca u takua edhe me presidenten e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Petra Bayr, të cilën e uroi për detyrën dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Ai vlerësoi rolin e Asamblesë Parlamentare në trajtimin profesional të aplikimit të Kosovës për anëtarësim, duke nënvizuar se procesi teknik është përmbyllur dhe se ekziston mbështetje e gjerë politike brenda saj, e reflektuar edhe në 82% të votave në favor të anëtarësimit të Kosovës. Po ashtu, ai theksoi përkushtimin e Kosovës për të avancuar më tej standardet demokratike dhe për të mbetur një partnere konstruktive në kuadër të institucioneve evropiane.
Takimet në Strasburg përfshijnë edhe atë me sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Mathieu Mori, si dhe përfaqësues të grupeve politike në Asamblenë Parlamentare: Frank Schwabe, president i Grupit socialist, demokrat dhe të gjelbërve (SOC); Iulian Bulai, president i Grupit ALDE; dhe Knut Abraham, zv.president i EPP-së dhe shef i delegacionit gjerman në APKE.
Në këto takime u diskutua ecuria e procesit të anëtarësimit dhe hapat e mbetur drejt vendimmarrjes përfundimtare.
Po ashtu, Konjufca u takua edhe me Piero Fassino, kryetar i Nënkomitetit për Ballkanin Perëndimor të APKE-së.
Gjatë një mëngjesi pune me ambasadorë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, u diskutua rëndësia e anëtarësimit për qytetarët e Kosovës, veçanërisht në aspektin e qasjes në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Zëvendëskryeministri Konjufca ritheksoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përforconte mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të rriste besimin në institucionet demokratike dhe do të kontribuonte në avancimin e mëtejmë të Kosovës në rrugën e saj evropiane.
