Një dritë lazeri, e drejtuar nga toka drejt një avioni, mund të kthehet në një rrezik serioz për sigurinë e fluturimit.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, rastet e sulmeve me lazer ndaj avionëve që aterrojnë dhe ngrihen nga aeroporti janë shtuar kohët e fundit.
Kontrollorët e trafikut ajror paralajmërojnë se këto veprime mund të rrezikojnë qindra udhëtarë në bord, por edhe sigurinë e banorëve që jetojnë në zonat përreth aeroportit.
Sipas kontrollorëve, në shumë raste pas këtyre veprimeve dyshohet se qëndrojnë të rinj dhe adoleshentë, të cilët mund të mos jenë të vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktojë një lazer I drejtuar drejt një avioni.
Për këtë dukuri po angazhohet edhe Policia Kufitare, e cila vepron në hapësirat e aeroportit.
Zyrtarët policorë thonë se raste të tilla trajtohen me seriozitet, pasi bëhet fjalë për rrezikim të sigurisë së aviacionit.
Personat që përdorin lazerin ndaj avionëve mund të përballen edhe me pasoja të rënda ligjore, përfshirë dënimin me burgim nga një deri në dhjetë vjet.
Kontrollorët e trafikut ajror thonë se me lazer janë shënjestruar edhe helikopterë të KFOR-it. Në disa raste, pjesëtarët e KFOR-it kanë arritur të identifikojnë personat që kanë përdorur lazerin dhe, sipas kontrollorëve, kanë ateruar në afërsi të tyre, duke nisur më pas procedurat përkatëse.
