Lajme

Kosova me Presidente të re, Kuvendi miraton ligjin për Hagën

Në mesnatën e 6 tetorit, në dy seanca të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës votoi në lexim të dytë ligjin e ndryshuar për Gjykatën Speciale dhe zgjodhi Presidenten e Kosovës, duke shmangur kështu mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Presidente e Kosovës, me 81 vota pro, u zgjodh Justina Shiroka-Pula, e cila deri më tani kishte ushtruar detyrën e kryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Marrëveshja për emrin e Presidentes së re u arrit në çastet e fundit ndërmjet dy partive më të mëdha parlamentare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në fjalimin e saj të parë pas zgjedhjes, Justina Shiroka-Pula tha se do të jetë “Presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Presidente e të gjithë qytetarëve

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, ai u përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem Presidente e të gjithë qytetarëve. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe forcimin e institucioneve tona”, tha Presidentja e re Justina Shiroka-Pula.

Ajo shtoi se “Kosova duhet të ecë përpara si shtet demokratik e i sigurt, me orientim të qartë euroatlantik dhe me miqësi të fortë me aleatët tanë”.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovëndhe në njerëzit e saj, dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”, përfundoi Presidentja Justina Shiroka-Pula.

Tendosjet e mëparshme

Zgjedhjes së saj si Presidente i parapriu gjatë gjithë së martës një përplasje deklarative në distancë ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Të dy akuzonin njëri-tjetrin për bllokadë institucionale, ndërsa ora e mesnatës afrohej dhe rreziku që vendi të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, sipas afateve kushtetuese, bëhej gjithnjë e më i madh.

Hamza kërkonte që fillimisht të miratohej në lexim të dytë ligji i ndryshuar për Gjykatën Speciale, ndërsa Kryeministri Kurti insistonte që më parë të zgjidhej Presidentja dhe më pas të miratohej ligji. Vetëm pak minuta para mesnatës, palët u dakorduan që fillimisht të votohej ligji dhe më pas Justina Shiroka-Pula të zgjidhej Presidente.

Kështu edhe ndodhi, ndërsa qindra qytetarë të mbledhur pranë godinës së Kuvendit protestonin duke kërkuar miratimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Kurti dhe Hamza të kënaqur me marrëveshjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i kënaqur që, siç tha ai, “Kosova tashmë ka institucione stabile”. “Republika ka Presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula. Kosova ka institucione stabile. Kemi gjithashtu ligjin me ndryshime për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë së bashku për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit”, tha Kurti.

Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi të martën si një ditë të rëndësishme pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjes së Presidentes së vendit.

“Është një ditë shumë e vlefshme, sepse sot Kuvendi miratoi ligjin për Dhomat e Specializuara. Ne nuk dëshirojmë ta pengojmë drejtësinë. Përkundrazi, duam të sigurojmë drejtësi. Dëshirojmë që luftës së popullit tonë dhe UÇK-së t’i garantohet drejtësi, me mbikëqyrje, transparencë dhe llogaridhënie”, tha Hamza.

Ai garantoi gjithashtu se Partia Demokratike e Kosovës do të bashkëpunojë me Presidenten e re, Justina Shiroka-Pula.

Presidentja e zgjedhur e Kosovës ishte zgjedhur disa muaj më parë kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ekonomistja 73-vjeçare ka qenë më herët ligjëruese në Universitetin e Prishtinës dhe gruaja e parë që drejtoi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Nga viti 2008 deri në vitin 2011, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Shiroka-Pula shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave në qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Ajo ka qenë aktive edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fushat e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe sipërmarrjes. / DW

Të Ngjashme