Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e mbajtur më 20 korrik, hodhi poshtë kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të tërhequr dorëheqjet e tyre, të paraqitura në nëntor të vitit 2022 gjatë largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Në atë periudhë, dorëheqje dhanë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë, së bashku me pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe zyrtarë të pushtetit lokal në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Largimi u organizua me thirrjen e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë të mbështetur nga Beogradi, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.
Juristi Blerim Burjani, vlerëson se kërkesat për rikthimin e ish-punonjësve duhet të shqyrtohen në mënyrë objektive, duke analizuar arsyet e largimit dhe çdo presion të mundshëm nga strukturat kriminale.
Sipas tij, rikthimi nuk duhet të jetë automatik, por të bëhet në përputhje me ligjin përmes një konkursi publik, ku të gjithë kandidatët të kenë mundësi të barabarta dhe të zotohen se do ta ushtrojnë detyrën në mënyrë të pavarur nga politika.
“Duhet një vlerësim real dhe objektiv, duke analizuar qëllimet dhe arsyet e largimit, nxitjen apo shtyrjen dhe presionin ndaj tyre nga strukturat kriminale të Radoiçiqit dhe Vuçiqit. Mendoj se duhet të baraspeshohen faktet dhe rrethanat. Kërkesa për kthim duhet të jetë e bazuar në ligjet në fuqi. Mendoj se duhet të hapet konkursi dhe të aplikojnë të gjithë ata që janë të denjë për të ushtruar punë të pavarur nga politika.
Pra, mendoj se ata, si pjesë e aplikimit, duhet të nënshkruajnë një deklaratë nën betim për ushtrimin e detyrës në mënyrë të pavarur nga politika dhe emocionet politike.
Mendoj që në një konkurs publik të gjithë kanë të drejtë aplikimi, por jo të kërkojnë që të kthehen sikur asgjë nuk ka ndodhur, pra kthim automatik pa arsye dhe motive”, tha ai për “Bota sot”.
Veln, të përmendet se sot, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
