Lajme

Kritika të ashpra ndaj Osmanit për deklaratat kundër Kurtit: Akuzohet për kalkulime elektorale para 7 qershorit!

Ani pse kishte premtuar që në Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të kthehej asnjëherë, si duket interesat personale i kanë “trokitur në derë” Vjosa Osmanit, duke bërë që e njëjta jo vetëm të afrohet sërish me LDK-në, por edhe t’i harrojë deklaratat e forta që dikur i bënte kundër saj.

Dikur e quante të kapur dhe të devijuar nga fryma rugoviane, ndërsa sot po kërkon strehë pikërisht aty ku thoshte se nuk do të rikthehej kurrë.

E për të mos mjaftuar me kaq në ditën që u mbajtë ‘Tubimi për Bashkim’, ku LDK mirëpriti në parti Vjosa Osmani, ajo shfrytëzoi çdo minutë që të ‘sulmonte’ Kurtin, edhe pse i njëjti i siguroi parti më herët dhe e bëri presidente.

Vjosa Osmani në fjalën e saj në “Tubimin e Bashkimit”, u shpreh e ashpër me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, të cilin e akuzoi që po “kërcënon me zgjedhje çdo tre muaj”.

Në fjalimin e saj, Osmani tha se “njëra është rruga e izolimit e krizës së përhershme, në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë”, tha Osmani para masës duke nxitur brohoritje të shumta.

Rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e çdo njërit që interesin shtetëror e vendosin para atij partiak”, vijoi ajo.

Duke shtuar se vendi shkoi “në zgjedhje të panevojshme e ja refuzuan popullit 51 përqind vetëm për të eleminuar një ish- presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani në Tubimin e Bashkimit.

“Rruga tjetër është rruga e amanetit të Rugovës, rruga e shtetit serioz …”, vijoi Osmani.

Si interpretohet qasja e Vjosa Osmani para zgjedhjeve të 7 qershorit — strategji politike për të fituar vëmendje përmes sulmeve ndaj Albin Kurti, apo mungesë konsistence ndaj dikujt që dikur e mbështeti për t’u bërë presidente?

Qarri: Nga aleate e Kurtit në kritike të ashpër – kthesa që po i kushton politikisht Vjosa Osmani

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri.

Ai thotë se raportet mes Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë prishur jo vetëm për dallime politike, por edhe për interesa personale, duke aluduar se frika nga ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe zhgënjimi ndaj veprimeve të fundit të Osmanit kanë bërë që shumë ish-mbështetës të saj ta humbin besimin dhe të mos e mbështesin më politikisht.

“Duke qenë se edhe Vjosa Osmani, u dëshmua se posedon pasuri të përmasave të pabesueshme deri te shtëpitë marramendëse edhe në kontinentet më të largëta të rruzullit tokësor si Australia, origjina e të cilës, ndoshta në rrethana të gjendjes në Kosovë, nuk është e lehtë të arsyetohet ligjërisht, miratimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i cili pa postin e lartë të presidentes, nuk garanton amnisti institucionale dhe mund ta prekte edhe vet zonjën Osmani, duket se përveç mosakordimeve të kamufluara politike, ka ndarë pariparueshëm rrugët e saj me kryeministrin Albin Kurti.

Sa i takon Vjosës si ish presidente, unë personalisht dhe jo vetëm, kemi qenë nga fillimi, mbështetësit më të palëkundur të saj, por duke qenë se kaosi i krijuar lë përshtypjen se më tepër luftohet për interesa personale dhe jo për shtetin, pas veprimeve konspirative që ajo ndërmori kohëve të fundit, shumica prej nesh jemi kthyer në kundërshtar dhe as që do ta votojmë më Vjosën, edhe po të kandidoië ajo, çdo muaj për poste të larta shtetërore e institucionale, megjithëse në sytë tanë e vlerësonim Vjosa Osmanin si personalitet të devotshme për të parën e shtetit, pasi që ndryshoi, siç po e dëshmon përditë në promovimet e saj të çuditshme paraelektorale”, u shpreh ai.

Duke vazhduar tutje, analisti shtoi se, Osmani me deklaratat dhe sjelljet e saj të fundit publike ka dëmtuar klimën politike dhe ka humbur mbështetjen e shumë qytetarëve, të cilët e shohin qasjen e saj si të motivuar nga interesa personale e jo nga interesi shtetëror i Kosovës.

“Me veprimet e veta publike, në vend se të jetë falënderuese për mandatin e parë dhe si ish presidente e vendit të mbajë qëndrime përafruese, fatkeqësisht me deklaratat e saj të dyshimta publike, ka filluar ta kontaminojë edhe atmosferën politike në vend, veprime të cilat u sjellin dëme të pariparueshme edhe interesave të shtetit të Kosovës, ndaj parë realisht, neve si qytetar dhe shtetas të Republikës së Kosovës, me perceptim të formësuar elektoral, nuk na impresionon aspak fjalamania demagogjike e politikanëve arrivist siç e promovon veten, ish e adhuruara jonë për presidente të vendit, zonja Vjosa Osmani, për veprimet e të cilës nuk kemi më, jo vetëm simpati, por as mirëkuptim. Si arsyeja konspirative e kritikës, ashtu dhe vet mënyra dubioze e sjelljes së saj publike dhe të ngjashmëve, dëshmon se për interesa individuale, janë në gjendje të shkelin mbi gjithçka, madje edhe mbi normat e të vërtetës universale duke mos hezituar të përdhosin edhe parimet e shtetësisë së Kosovës, që për ne si qytetar, të përkushtuar jo për politikën ditore, por për shtetin e Kosovës, i cili nuk është sferë e lojërave partiake, por arritje e shenjtë kombëtare, duhet të mbrohet me çdo kusht, edhe me votën demokratike të Sovranit të vendit tonë”, shpjegon analisti.

Gjithashtu, Qarri konsideron se disa politikanë vendorë, mes tyre edhe Vjosa Osmani, po keqpërdorin pozitën dhe deklaratat publike për interesa personale, ndërsa kritikat ndaj Albin Kurti pa argumente po konsiderohen të dëmshme për shtetin e Kosovës, sidomos ndaj një kryeministri që, sipas tij, ka shtrirë rendin dhe ligjin në gjithë territorin e vendit.

Sjelljet e papritura të disa politikanëve vendor me “reputacion”, që kishin fituar edhe simpatinë e qytetarëve, duke abuzuar me funksionet e larta shtetërore që paraprakisht mbajtën, dhe keqpërdorur fjalën e lirë nëpër evente partiake e tubime paraelektorale, po dëshmojnë katërçipërisht se armiqtë e shtetit të Kosovës nuk kanë nevojë të shpenzojnë shumë energji as të rezervojnë kosto të larta për të vepruar me sukses kundër Kosovës, ngase punën e tyre, po e bëjnë me shumë besnikëri argatët vendor, që për fat të keq flasin dhe gjuhë e popullit të cilin po mundohen ta keqpërdorin dhe mashtrojnë për interesa të veta karrieriste.

Ndryshe të kritikohet pa ofruar asnjë argument, kryeministri i vendit, për veprime kundër shtetit, është veprim i rrezikshëm penal me të cilin duhet të merret seriozisht prokuroria e vendit, i vetmi kryeministër që në historinë e pasluftës, mbi 23 vite pas çlirimit nga Serbia okupatore, përkundër kundërshtimeve të jashtëzakonshme, të brendshme dhe të jashtme, ka arritur ta shtrijë shtetësinë e Kosovës cep më cep dhe vendos rend e ligj në tërë hapësirën gjeografike të saj”, thotë tutje analisti.

Ndër të tjera, ai nënvizon që Osmani me deklaratat e saj paraelektorale kundër Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje po hyn në kundërthënie me rolin që kishte si presidente, pasi nëse pretendimet e saj për “rrezikim të shtetit” do të ishin të vërteta, atëherë mosveprimi i saj institucional do ta bënte edhe vetë përgjegjëse.

“E pikërisht në prag të fushatës zgjedhore të votimeve të 7 qershorit, ajo mban edhe fjalime të dyshimta propagandistike, për mendimin tim gjysmë-legale, si ai në “Tubimin e ri-Bashkimit”, me LDK-në, ku Vjosa Osmani ka kritikuar ashpër dhe ka hedhur akuza të rënda ndaj VV-së dhe kryeministrit Albin Kurti si ajo për “rrezikimin e shtetit”, me të cilën Vjosa Osmani nuk promovon thjeshtë strategji politike për rritje elektorale dhe për të marrë më shumë vëmendje politike, por në realitet ajo penalizon direkt edhe vetveten, ngase nëse vërtet kishte veprime të kryeministrit kundër shtetit, dhe përkundër kësaj, Vjosa Osmani si e para e vendit, nuk ka ndërmarrë asgjë, e madje edhe i ka heshtur me vetëdije veprimet e supozuara, kundër shtetit, pa asnjë meditim, duhet të akuzohet dhe vendoset urgjentisht para drejtësisë, për shkeljen e Kushtetutës dhe bashkërrezikimin e shtetit të Kosovës në kooketim me të tjerët”, foli Qarri për “Bota sot”.

Zogaj: Qasja e saj ndaj “mëkateve” të kësaj periudhe jo vetëm që nuk e çliron nga përgjegjësia, por e rëndon edhe më shumë pozitën e saj si figurë

Ndërsa, publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që, kriza politike në Kosovë po thellohet nga liderë dhe parti që, për interesa pushteti, po keqpërdorin demokracinë dhe po e largojnë vendin nga standardet morale, institucionale dhe demokratike.

Image
Skënder Zogaj

“Në kuptimin politiko-moral, demokracia nuk është vetëm formë qeverisjeje, por mbi të gjitha vlerë etike dhe shoqërore. Pikërisht ky perceptim i deformuar po e dëmton rëndë lirinë dhe pavarësinë demokratike të Kosovës. Individë që keqpërdorin parimet themelore të barazisë para ligjit, lirinë e mendimit, të fjalës dhe të zgjedhjes, e kanë shndërruar jetën politike në një luftë brutale për pushtet, jashtë çdo standardi demokratik dhe moral.

Sot, Kosova është shndërruar në një kazan ku ziejnë mbeturinat ideologjike të së kaluarës, nga të cilat vendi ynë mezi është çliruar. Përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje janë partitë politike dhe liderët e tyre, të cilët, në vend që të reflektojnë për dëmin dhe mjerimin që ia kanë shkaktuar vendit, vazhdojnë të sillen si “heronj” dhe, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, angazhohen ta shtyjnë Kosovën edhe më thellë drejt humnerës politike dhe institucionale”, foli publicisti.

Tutje, publicisti potencoi që, kriza institucionale në Kosovë po thellohet nga politikanë që përdorin gjuhë denigruese dhe strategji mashtruese për interesa elektorale, ndërsa shumica e kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit mbeten të njëjtët figura politike me vetëm ndryshim të partive.

“Pas gati dy vitesh krizë dhe bllokadë institucionale, përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendjeje janë bërë edhe më të zëshëm. Ata nuk po zgjedhin mjete për ta denigruar njëri-tjetrin përmes fyerjeve, shpifjeve, akuzave të ulëta dhe gjuhës së papranueshme, e cila shpesh nuk u ka hije as rrugaçëve.

Kemi të bëjmë me një strategji politike thellësisht destruktive, që synon të krijojë mjegull dhe mashtrim për elektoratin e lodhur dhe të zhgënjyer. Më 7 qershor, qytetarët do ta kenë jashtëzakonisht të vështirë dhënien e votës, sepse mbi 75 për qind e emrave janë të njëjtët lojtarë politikë, të cilët kanë ndryshuar vetëm fanellat partiake”, thotë Zogaj.

Në fund, publicisti shtoi se, ish-presidentja Osmani, pavarësisht rolit të saj institucional për pesë vjet, po shfaq sjellje kontradiktore dhe kritika të vonuara që lidhen me kalkulime elektorale para zgjedhjeve të 7 qershorit, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë e saj gjatë krizave politike dhe institucionale në Kosovë.

“Ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila për pesë vjet ka qenë figura e parë e shtetit dhe në shumë raste është vlerësuar për paraqitjen e saj institucionale, kohëve të fundit po shfaq një qasje të shpërqendruar dhe kontradiktore. Gjatë mandatit të saj kanë ndodhur zhvillime të rënda politike dhe institucionale që nuk do të duhej të ndodhnin në një shtet demokratik.

Qasja e saj ndaj “mëkateve” të kësaj periudhe jo vetëm që nuk e çliron nga përgjegjësia, por e rëndon edhe më shumë pozitën e saj si figurë që ka pasur obligim kushtetues për ruajtjen e ekuilibrave institucionalë dhe unitetit politik të vendit.

Prandaj shtrohet pyetja: cili është qëllimi i kritikave të ashpra që ish- presidentja po i artikulon pikërisht tani? Gjithçka lë të kuptohet se kjo lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet e 7 qershorit dhe me kalkulimet elektorale. Premtime të reja nuk mund të ketë, sepse ato të dhëna para pesë vitesh tashmë janë konsumuar dhe tejkaluar nga realiteti i hidhur politik.

Kosova sot ndodhet në krizë të thellë qeverisëse. Është një shtet pa funksionalitet të plotë institucional, një realitet politik “as mish e as peshk”, si pasojë e papërgjegjësisë së klasës politike shqiptare në Kosovë dhe e liderëve që interesin personal e kanë vendosur mbi interesin shtetëror”, përfundoi publicisti Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme