Lajme

Kryeministri serb kërkon që tema e Paunoviqit të mbyllet

Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, ka reaguar pas deklaratës së ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte kryer “spastrimin etnik të Kosovës”.

Macut ka theksuar se deklaratat personale të anëtarëve të Qeverisë nuk mund të paraqiten si politikë zyrtare e Serbisë, duke insistuar se ekzekutivi serb mbetet i përkushtuar ndaj paqes, dialogut dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

“Pikëpamjet personale, qofshin ato pjesërisht të formuluara në mënyrë të ngathët apo të nxjerra jashtë kontekstit, pavarësisht se kush i ka shprehur, nuk mund dhe nuk duhet të paraqiten si politikë zyrtare e Qeverisë. Politika jonë bazohet në ruajtjen e paqes, mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare, respektimin e së drejtës ndërkombëtare, dialogun dhe respektimin e plotë të të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Macut për Euronews Serbia.

Ai shtoi se çdo përpjekje për ta paraqitur një deklaratë individuale si qëndrim zyrtar të shtetit serb është, sipas tij, “plotësisht e pabazuar”.

Kryeministri serb bëri të ditur se ka biseduar me ministren Paunoviq, duke i bërë të qartë se deklaratat e saj ishin të papranueshme.

“I kam thënë qartë ministres Snezhana Paunoviq se deklaratat në këtë drejtim nuk janë të pranueshme. Ajo ka kërkuar falje për fjalët e saj, edhe pse vetë është një person i zhvendosur nga Kosova, dhe besoj se duhet ta mbyllim këtë çështje. Qytetarët presin rezultate nga Qeveria, jo polemika. Për këtë arsye do të mbetemi të përqendruar në punën që bëjmë në interes të Serbisë”, tha Macut.

Ai shtoi se nuk është e drejtë që deklarata e një ministreje, për të cilën është kërkuar falje, të përdoret si bazë për vlerësime politike ndaj Serbisë ose për të komentuar punën e Qeverisë së saj.

“Serbia është e përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe dialogut të hapur me partnerët e saj, por pret që të respektohen parimet e respektit të ndërsjellë, barazisë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve. Marrëdhëniet e partneritetit ndërtohen mbi zbatimin e njëjtë të standardeve për të gjithë, përfshirë edhe Serbinë”, përfundoi kryeministri serb.

Të Ngjashme