“Si është e mundur që logjika e propagandës serbe t’i ftojë ‘të përndjekurit’ serbë nga Kosova që të votojnë në Kosovë?”, kjo është pyetja që ka shtruar njohësi i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, pas nxitjes që Beogradi zyrtar po u bën serbëve që jetojnë atje të votojnë në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë.
Ai ka sqaruar se në këtë formë Serbia vetëm po e demanton vetën, meqë propagandon vazhdimisht se në Kosovë gjoja serbët janë të përndjekur.
“A nuk frikësohet Serbia se këta refugjatë mund të rrezikohen në vendin ku pretendon se janë ‘përndjekur’? Po ashtu, si është e mundur që Serbia t’i ftojë serbët të pajisen me dokumente të Republikës së Kosovës, të një shteti që sipas saj qenka vetëm ‘krahinë’ e Serbisë?”, ka shkruar ai në Facebook.
Komisariati për Refugjatë i Serbisë ka lëshuar një ftesë për personat e zhvendosur serbë nga Kosova që të votojnë në zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Në të njëjtën kohë, iu është kërkuar serbëve që ende nuk janë pajisur me dokumente të Kosovës, ta bëjnë këtë për të fituar të drejtën e votimit.
E, këtu, siç ka vlerësuar Kuçi, shfaqen dy kontradikta që vetëm propaganda mund t’i prodhojë dhe pastaj vetë t’i zbulojë.
“Serbia u bën thirrje serbëve ‘të përndjekur’ të votojnë në vendin ku pretendon se janë përndjekur, dhe njëkohësisht u kërkon të marrin dokumentet e një shteti që ajo publikisht nuk e njeh: Republikës së Kosovës. Kjo thirrje, në fakt, e demaskon vetë Serbinë dhe narrativën e saj. Ajo e vendos Beogradin përballë një dorëzimi pragmatik ndaj realitetit ligjor dhe sovran të Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kësisoj, Serbia është e dorëzuar përballë sovranitetit dhe ligjeve të Kosovës, edhe kur përpiqet t’i mohojë ato publikisht.
“Tani i mbetet Kosovës, me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, ta ndalë edhe inxhinierinë elektorale që Serbia e ushtron përmes Listës Serbe mbi serbët në Kosovë. Vetëm atëherë serbët në Kosovë, bashkë me komunitetet e tjera, mund të kenë një jetë normale, demokratike dhe të lirë nga ndërhyrja e regjimit të Vuçiqit”, ka përfunduar ai.
