Lajme

Kurti i bën ofertë PDK-së: Specialja dhe presidenti në një seancë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar një formulë për zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së presidentit, duke e lidhur atë me votimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të martën, Kurti i është drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, me kërkesën që deputetët e kësaj partie të marrin pjesë në votimin për presidentin. Në këmbim, ai ka deklaruar se shumica parlamentare do të procedonte me votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara.

Kurti ka thënë se nuk është e nevojshme që të gjithë deputetët e PDK-së të votojnë, duke kërkuar të paktën gjysmën e grupit parlamentar të kësaj partie.

“Gjysmën e Grupit Parlamentar, veç gjysmën, jo krejt. Krejt edhe më mirë, por veç gjysmën”, ka deklaruar Kurti.

Sipas propozimit të tij, Hamza do të duhej të dilte publikisht dhe të zotohej se deputetët e PDK-së do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Kurti ka propozuar që në të njëjtën seancë të Kuvendit të votohet edhe Projektligji për Dhomat e Specializuara, në lexim të dytë, dhe më pas të procedohet me votimin për presidentin.

Në fjalimin e tij, Kurti ka përmendur dy emra si kandidatë për president, Glauk Konjufcën dhe Feride Rushiti.

“Pra, një seancë e Kuvendit sonte, me dy pika: votimi i projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe votimi për presidentin”, ka thënë Kurti.

Ai ka argumentuar se çështja e zgjedhjes së presidentit dhe ajo e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara nuk duhet të mbahen peng nga njëra-tjetra.

Të Ngjashme