23.10.2026 – 16:24
Kurti, ushtarëve: Emri i kryekomandantit Adem Jashari, të jetë kujtesë se çfarë do të thotë të qëndrosh për atdheun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari”, ku diplomuan 515 ushtarë të rijnë.
Kurti u bëri thirrje rekrutëve të rinj që ta kryejnë me nder dhe vetëdije të lartë detyrën fisnike në shërbim të vendit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se pas uniformës ushtarake qëndron e gjithë shoqëria kosovare dhe dëshira e saj për të jetuar e ndërtuar të ardhmen në paqe.
“Të dashur ushtarë, mos harroni kurrë se pas uniformës suaj janë qytetarët e Kosovës, familjet e tyre, fëmijët që duan të rriten në paqe dhe një popull që e ka fituar lirinë me shumë mund e vuajtje”, tha Kurti.
Ai nënvizoi gjithashtu se emri dhe vepra e kryekomandantit Adem Jashari mbeten udhërrëfyes i përhershëm i vetëmohimit dhe përkushtimit për atdheun.
“Le të jetë emri i kryekomandantit legjendar Adem Jashari një kujtesë e përhershme se çfarë do të thotë të qëndrosh për atdheun. Ky është atdheu ynë. Ky është shteti ynë. Liria është amanet. Mbrojtja e saj është tërësi funksionesh që i ndajmë bashkë, përgjegjësi zyrtare dhe qytetare e përbashkët. Urime diplomimi. Rroftë Forca e Sigurisë së Kosovës. Rroftë Republika e populli ynë”, përfundoi kryeministri Kurti.
23.10.2026 – 16:23
Rekrutët e rinj të FSK-së, Kurti: 515 ushtarë i shtohen mbrojtjes së atdheut
Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e diplomimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se sot po betohen 515 ushtarë të rinj të FSK-së, që shënon edhe gjeneratën më të madhe që ka pasur ndonjë ushtria e Kosovës.
“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit. 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”.
Kështu e nisi fjalimin Kurti, duke shtuar: “Të dashur ushtarë, rrugëtimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë”.
I pari i ekzekutivit tha se “UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve e martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare e të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë”.
“Nga malet e Drenicës, te Kullat e Dukagjinit, nga Drini i Bardhë te Ibri e Sitnica, nga Llapi e Gollaku te Anamorava e Karadaku – çdo krahinë e rajon, qytet e fshat, kodër e luginë, ruan kujtime të rezistencës dhe kryengritjes, të përpjekjeve për liri dhe të dashurisë për atdheun”, u shpreh Kurti.
Ai tha më tej se në këtë tokë, “liria është histori familjesh, sakrificë brezash dhe përgjegjësi që trashëgohet”.
“Ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit. Zhvillimi i saj është obligim yni për të ndërtuar institucione, me mundësi dhe aftësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës, në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor”, u shpreh kryeministri Kurti.Ai u zotua për investime mbi 1 miliard euro tha se zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri.
23.10.2026 – 16:23
Nis ceremonia e betimit të rekrutëve të rinj të FSK-së

Ka nisur ceremonia e betimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Kazermën “Adem Jashari”.
Në ceremoni po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Të pranishëm janë edhe oficerë dhe nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Ceremonia shënon një moment të rëndësishëm për rekrutët e rinj, të cilët po përgatiten t’i bashkohen radhëve të FSK-së në shërbim të vendit.
