Lajme

Kurti në Samitin e Berlinit: Radoiçiqi bredh i lirë, i mbrojtur nga aparati shtetëror i Serbisë – sulmi ndaj Kosovës është sulm ndaj gjithë Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar në seancën plenare të Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi se Serbia ka përdorur kundër Kosovës të njëjtat metoda që Rusia përdor kundër Evropës. Ai përmendi sulmin terrorist në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc, ndërsa u kërkoi liderëve evropianë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim.

Në fjalimin e plotë, të cilin e publikoi më pas në Facebook, Kurti tha se Kosova ka bërë gjithçka që i takonte vetëm asaj dhe se tani vendimi u përket ekskluzivisht vendeve të BE-së.

“Na matni me atë që BE-ja kërkon nga një shtet kandidat”

Kurti kujtoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim pret që nga dhjetori i vitit 2022 dhe se Kosova mbetet i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.

“Kërkojmë nga ju ta merrni vendimin: të kërkoni opinionin e Komisionit, t’i jepni Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapni negociatat për anëtarësim”, u tha Kurti liderëve.

Ai theksoi se Kosova u qëndron vlerave të Nenit 2 të Traktatit të BE-së dhe se vlerësimet e pavarura e rendisin ndër shtetet me përparimin më të madh demokratik në Evropën Jugore, nga lufta kundër korrupsionit deri te sundimi i ligjit. Në politikën e jashtme, tha ai, Kosova vepron si vend anëtar, sepse që nga dita e parë ka zbatuar çdo sanksion të BE-së kundër Rusisë.

Banjska, Ibër-Lepenci dhe Radoiçiqi

Pjesa më e ashpër e fjalimit iu kushtua sigurisë. Sipas Kurtit, përtej luftës në Ukrainë, Rusia po sulmon hapësirën ajrore, kabllot nënujore, infrastrukturën kritike dhe njerëzit e Evropës me sulme të vogla e të mohueshme, që mbahen nën pragun e një përgjigjeje të përbashkët.

“Në Kosovë, një fqinj ka përdorur të njëjtat metoda, për të njëjtat qëllime, kundër shtetit tonë”, tha ai.

Kurti kujtoi se muajin e kaluar u bënë tre vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Muajin e ardhshëm mbushen dy vjet nga shpërthimi në kanalin e furnizimit me ujë Ibër-Lepenc në fshatin Varagë. Sipas tij, njeriu që ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën, Milan Radoiçiqi, ende bredh i lirë dhe në publik, i mbrojtur nga i njëjti aparat shtetëror.

“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive”, tha Kurti. Ai shtoi se për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin.

Diplomat e bllokuara

Kurti u ndal edhe te marrëveshjet e Procesit të Berlinit për njohjen e diplomave dhe për lëvizjen me letërnjoftim, të nënshkruara nga gjashtë vendet në vitin 2022. Sipas tij, katër vjet më vonë disa vende ende i bllokojnë ato për Kosovën, sepse marrëveshjet sjellin standardet e BE-së.

“Askush nuk mund të detyrohet që ta dojë Bashkimin Evropian, por askush nuk duhet të lejohet t’i pengojë ata që e duan”, tha ai.

Thirrje për Luginën e Preshevës

Në fund të fjalimit, Kurti kërkoi që të drejtat e pakicave të kenë përgjigje të përbashkët në Procesin e Berlinit. Ai argumentoi se pothuajse çdo shumicë në rajon është pakicë matanë kufirit. Ai u bëri thirrje liderëve të shikojnë nga afër Luginën e Preshevës, ku sipas tij shqiptarët po shtyhen hap pas hapi jashtë institucioneve dhe jetës publike, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë se largimi.

Kurti e nisi fjalimin duke uruar Malin e Zi për përparimin drejt BE-së. Ai foli edhe për përfitimet e integrimit gradual: SEPA, e cila sipas tij do t’u kursejë qytetarëve dhe mërgatës 58 milionë euro në vit, “Green Lanes” për tregtinë me BE-në dhe “Roam Like at Home”, me të cilin interneti në telefon do të kushtojë njësoj në BE si në Kosovë.

Të Ngjashme