Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarë, investitorë dhe politikanë amerikanë.
Në një mbrëmje të organizuar në Westchester, Kurti tha se është diskutuar për mundësitë konkrete të investimeve amerikane në Kosovë dhe rolin e mërgatës në lehtësimin e tyre.
Ai theksoi se Kosova, si shtet i pavarur dhe demokratik, ofron mundësi për investime dhe se mërgata tash mund të kontribuojë përmes investimeve dhe jo vetëm përmes sakrificës.
Postimi i plotë:
Për dekada me radhë përmasa e mbështetjes dhe roli i mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikurse bashkatdhetarëve gjithandej botës, kanë qenë jetike për mirëqenien si qytetarë dhe triumfin e Kosovës në luftën për liri dhe angazhimin për shtetndërtim.
Tash Republika e Kosovës, shtet i pavarur, sovran, demokratik e me zhvillim të qëndrueshëm, ofron mundësi të shkëlqyeshme për investime. Kësisoj, për dallim nga dekada më parë, tash bashkatdhetarët nuk kanë nevojë të sakrifikojnë për të kontribuuar, sepse mund të investojnë për të fituar.
Në mbrëmjen e organizuar me Data4X dhe Ed e Barbara Hammel në rezidencën e Richard Lukajt në Westchester, me bashkatdhetarë, si dhe investitorë e politikanë amerikanë, përfshirë ish-kryetarin e Hartfordit, Luke Bronin, biseduam për mundësitë dhe mënyrat konkrete për investime amerikane në Kosovë dhe rolin lehtësues të mërgatës sonë në këtë drejtim. Republika jonë është partnere në të cilën mund të llogarisin dhe gjejnë mbështetje.
