Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit një delegacion të klubit FC Dardania Basel, të themeluar më 1993 nga bashkatdhetarët shqiptarë në Zvicër.
Kurti ka vlerësuar rolin e klubeve sportive të mërgatës në edukimin e të rinjve, duke theksuar se ato ndihmojnë në zhvillimin e disiplinës, punës në ekip dhe vetëbesimit, si dhe në ruajtjen e lidhjeve me prejardhjen shqiptare.
“Kjo forcë shihet edhe në futboll, pasi që shumë futbollistë me prejardhje shqiptare kanë mbrojtur ngjyrat e Zvicrës e disa zgjodhën Shqipërinë”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Ai ka përmendur gjithashtu rëndësinë e komunitetit shqiptar në Zvicër, ku, sipas tij, jetojnë mbi 300 mijë shqiptarë dhe zviceranë me prejardhje shqiptare.
FC Dardania Basel, që përfaqëson mërgatën shqiptare në Zvicër, sot pasdite zhvillon një ndeshje miqësore kundër KFV Lipjan.
Kurti e ka cilësuar këtë përballje si një mundësi për forcimin e lidhjeve mes mërgatës dhe vendlindjes, duke theksuar se në këtë ndeshje “fiton para së gjithash lidhja jonë”.
