Aktuale

Kush ia vendosi tritolin Idajet Beqirit? Gazetari: Iu dërgua mesazh …

Gazetari i kronikës, Xhevahir Zhabina, ka folur në lidhje me shpërthimin me tritol që ndodhi mëngjesin e sotëm, në makinën e avokatit Idajet Beqiri. Zhabina tha se ky është një mesazh që autorët kanë tentuar që t’i dërgojnë avokatit, i cili është i përfshirë në një sërë dosjesh të rëndësishme, që lidhen dhe me eksponentë politikë.

“Ka shpërthyer një sasi tritoli në makinën e zotit Beqiri, ai është i përfshirë në disa dosje të rëndësishme, ka qenë avokati i familjarëve të Haklajve, ka kërkuar që të hetohej me ngulm kjo çështje. Janë dhe dosje të tjera me ngarkesë politike, si 21 Janari, ku janë të përfshirë dhe eksponentë të opozitës.

Është një mesazh më shumë sesa për të bërë dëm, mbetet për tu parë, autorët janë kujdesur që të mos ketë njerëz afër. Kamerat do të shohin kur është vendosur tritoli, është një ngjarje e rëndë se bëhet fjalë për një nga zonat më të populluara të Tiranës, pranë Gjykatës. Motivi mbetet i paqartë dhe do të pritet të merret deklarata e çiftit Beqiri. Interesante do të jetë zbulimi i motivit të ngjarjes”, u shpreh Zhabina.

Këtë mëngjes, rreth orës 09:15 minuta një sasi tritoli shpërtheu në makinën e avokatit Idajet Beqiri në zemër të Tiranës. Makina “Mercedes Benz” ishte e parkuar mes pallateve pranë Gjykatës Civile dhe shkollës “Pjetër Budi” mes rrugëve “Myslym Shyri” dhe zonës së “Tiranës së Re” në kryeqytet.

Sipas policisë makina ishte në përdorim të avokatit të njohur, por e regjistruar ishte në emrin e bashkëshortes së tij, Nexhi Beqiri.

Shpërthimi ishte i fortë, aq sa u dëgjua qindra metra larg, duke bërë që banorët pranë zonës të ishin në panik. Ende nuk dihet sasia e eksplozivit të vendosur, apo mënyra e shpërthimit, teksa policia pritet të bëjë kqyrjen e pamjeve filmike.

Të Ngjashme