Aktuale

Kush janë policët që arrestoi në flagrancë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore

AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie në Tiranë, për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre

Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë kompetente, ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit.

Që të dy janë të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.

Të akuzuarit janë D. B, 25 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë;

Dhe E. K, 23 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.

Hetimi ka nisur pas publikimit, më datë 16.07.2026, të pamjeve filmike në rrjetin social të cilat u analizuan dhe u verifikuan në mënyrë të plotë nga strukturat hetimore të AMP-së.

Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, në funksion të veprave penale të parashikuara nga nenet 244 dhe 301 të Kodit Penal.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe çdo forme tjetër paligjshmërie nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Të Ngjashme