Pushtetarët shqiptarë vijojnë t’ia hedhin paq përballë drejtësisë. Sytë janë te Prokuroria e Posaçme (SPAK), por deri më tani edhe Prokuroria e Posaçme nuk po jep asnjë shpresë, ndonëse ka shumë dosje konkrete. Emra të mëdhenj po bien një nga një, por pyetja që nuk merr përgjigje është e njëjta: po paratë? Arrestimi nuk i kthen automatikisht miliardat e dyshuara si të vjedhura. Një politikan mund të bëjë muaj ose vite burg, të dalë më pas “i penduar” ose “i rehabilituar”, por leket nuk dalin bashkë me të nga burgu.
Ato nuk shfaqen në buxhetin e shtetit, nuk rikthehen në xhepin e qytetarit, nuk riparojnë rrugët, shkollat apo spitalet. Edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) nuk sheh thuajse asgjë. Madje dhe kur kanë zbuluar shkelje, as emra nuk publikojnë. Për këdo që ka pritur ndonjë kthesë serioze në zbulimin e pasurive të paligjshme të pushtetarëve, raporti i fundit i publikuar për vitin 2025 i ILDKPKI nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi e radhës e një institucioni që mjaftohet me statistika burokratike dhe “përparime” në letër, ndërkohë që korrupsioni galopant mbetet i paprekur në terren.
Si ia kanë hedhur paq 610 zyrtarë për periudhën 2014-205!
Në analizën statistikore, ILDKPKI përpiqet të shesë si sukses vendosjen e 75 masave administrative me gjobë dhe vetëm 16 referime penale përgjatë vitit 2025. Ky raport dëshmon qartë se institucioni preferon të vendosë gjoba të thjeshta financiare sesa të çojë zyrtarët e korruptuar para drejtësisë penale. Por edhe kur janë referuar në drejtësi, asnjë emër i njohur nuk është marrë i pandehur. “Në këtë kuadër, aktiviteti sanksionues i ILDKPKI gjatë viteve të fundit paraqet një volum të konsiderueshëm, ku për periudhën raportuese rezultojnë 75 masa administrative me gjobë, si dhe 16 referime penale dhe referime të tjera.
Kështu, për periudhën 2014-2025 janë aplikuar në total 2,306 masa administrative “gjobë”, dhe janë referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve/Hetimit Tatimor, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, si dhe Policisë së Shtetit, 610 subjekte, ku janë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarë bashkie, titullar institucionesh, gjyqtarë, prokurorë, niveli i lartë dhe i mesësm i shërbimit civil, etj. Të dhënat për periudhën 2019–2025 ofrojnë një pasqyrë më të detajuar të shpërndarjes së sanksioneve sipas kategorive të shkeljeve.
Kjo periudhë është përzgjedhur për të siguruar një bazë të mjaftueshme statistikore për vlerësim si dhe për të reflektuar më mirë praktikën e zbatimit në kohë. Për këtë periudhë, janë vendosur 99 masa administrative “gjobë” për shkelje të dispozitave ligjore në lidhje me konfliktin e interesit, si dhe 319 masa administrative “gjobë” për parregullsi në deklarime, sipas llojeve të parashikuara në kuadrin ligjor. Në të njëjtën periudhë janë vendosur 210 masa administrative “gjobë” për mosdeklarim në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, si dhe janë referuar pranë Zyrave të Prokurorisë 15 raste kur subjektet që mbartin detyrimin për deklarim nuk kanë dorëzuar deklarimin e pasurisë dhe interesave private”, thuhet ndër të tjera në raport.
Premtohet metodologjia e “Red Flags”, po ku ishin deri tani?
Një nga pikat më kritike të raportit është pranimi implicit se deri më sot, ILDKPKI ka kontrolluar pasuritë e zyrtarëve me sy mbyllur, pa një analizë të mirëfilltë risku. Vetëm në vitin 2025, nën presionin e Bashkimit Evropian dhe Kuvendit, po tentohet të futet një model i bazuar në indikatorë risku (“Red Flags”). Raporti thotë: “…ka avancuar metodologjinë e verifikimit të deklarimeve përmes një modeli kontrolli të bazuar, jo vetëm në skemën e parashikuar nga kuadri ligjor në fuqi, por edhe në draftimin e përfshirjen e indikatorëve të riskut (“Red Flags”)…” Dhe ku ndodhet ky sistem kaq jetik sot? Ende nëpër letra e manuale “në proces zhvillimi”. Raporti konfirmon se: “ILDKPKI është në kontakt me ekspertët e projektit mbi zhvillimin në proces të manualit të brendshëm të verifikimit të shenjave paralajmëruese…”. Pyetja që lind natyrshëm është: Si janë kontrolluar deri më sot pasuritë e politikanëve tanë pa u përdorur këta tregues risku?!
Lufta ndaj konfliktit të interesit, një tjetër ligj zvarrë
Saga e paaftësisë vijon me kuadrin ligjor për konfliktin e interesit. Ndërsa GRECO dhe BE theksojnë se legjislacioni shqiptar mbetet “relativisht kompleks”, ILDKPKI mjaftohet me deklaratën se projektligji i depozituar që në vitin 2021 (!) pritet të miratohet në tremujorin e parë të vitit 2026. Katër vite zvarritje për një projektligj që duhet të ishte shtylla e integritetit zyrtar. Raporti thekson se ky ligj i ri: “…synon modernizimin dhe konsolidimin e kuadrit ligjor ekzistues… me qëllim garantimin e ushtrimit të paanshëm të funksioneve publike dhe parandalimin e ndikimit të interesave privatë në proceset e vendimmarrjes…”. Nëse ky modernizim vjen me ritme të tilla breshke, administrata publike do të vazhdojë të mbetet e mbytur nga interesat privatë edhe për shumë vite të tjera. Raporti i ILDKPKI për vitin 2025 është një autogol institucional. Ai dëshmon se lufta ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë në Shqipëri mbetet peng e mungesës së akteve nënligjore, metodologjive të mbetura rrugëve në fazë “draftimi” dhe një dëshire të madhe për t’u mbrojtur pas gjobave sesa pas prangave.
