Zbulimi i një arsenali armësh, municionesh dhe uniformash ushtarake në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut ka ngritur dyshime të reja lidhur me krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në të njëjtën zonë, gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive, ku autoritetet kanë identifikuar mbetje kockore të të paktën 23 personave.
Ndërsa institucionet po hetojnë nëse armët e gjetura mund të kenë lidhje me vrasjen e tyre, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të këtyre rasteve.
“Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave dhe krimeve”, ka thënë Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë.
Ish hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar zbulimin e një arsenali të konsiderueshëm armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake në zonën e Kalludrës së Zubin Potokut, duke e cilësuar këtë zhvillim si të rëndësishëm për zbardhjen e së vërtetës për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Agim Rexhepi
Rexhepi ka thënë se ky rast nuk duhet të trajtohet vetëm si posedim ilegal i armëve, pasi armatimi është gjetur në një zonë ku janë zbuluar edhe varreza të dyshuara masive dhe mbetje mortore të të paktën 23 personave.
“Zbulimi i një arsenali të konsiderueshëm armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake në zonën e Kalludrës së Zubin Potokut, pikërisht në hapësirën ku janë zbuluar varreza të dyshuara masive dhe mbetje mortore të të paktën 23 personave, është një zhvillim që nuk mund të trajtohet si një rast i zakonshëm i posedimit ilegal të armëve. Këtu kemi të bëjmë me një dimension shumë më të madh: me të vërtetën për njerëzit që u zhdukën gjatë luftës, me fatin e familjeve që kanë pritur më shumë se dy dekada dhe me përgjegjësinë për krimet më të rënda të kryera në Kosovë. Fakti që janë kontrolluar 48 lokacione dhe se armatimi është gjetur në 12 lokacione të ndryshme, e bën këtë operacion veçanërisht domethënës. Nuk kemi të bëjmë me një armë të vetme apo me një rast të izoluar, por me një sasi të konsiderueshme armësh, municionesh, mjeteve shpërthyese, uniformash dhe pajisjesh ushtarake. Policia ka bërë të ditur se armatimi do t’i nënshtrohet ekzaminimeve për të përcaktuar origjinën, përdorimin dhe lidhjet e mundshme me raste të ndryshme kriminale”, ka thënë ai.
Tutje, Rexhepi ka kërkuar që institucionet të tregohen të kujdesshme në interpretimin e provave, duke theksuar rëndësinë e ekspertizës forenzike.
“Por duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në një pikë: dyshimi nuk është provë dhe një lidhje e tillë duhet të konfirmohet nga ekspertiza forenzike. Kjo është edhe arsyeja pse analizat balistike, ADN-ja, dokumentacioni, dëshmitë dhe çdo provë tjetër duhet të trajtohen me standardin më të lartë profesional dhe gjyqësor. Nëse laboratorët dhe ekspertët konfirmojnë se një pjesë e këtyre armëve është përdorur në vrasjen e 23 personave të zhdukur më 19 prill 1999, atëherë do të kishim përpara një moment potencialisht historik për drejtësinë në Kosovë. Do të ishte më shumë sesa zbulimi i disa armëve. Do të ishte një hallkë konkrete mes armës, krimit, viktimës, vendit të fshehjes së trupave dhe autorëve të mundshëm. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e këtij rasti”, ka shtuar ai.
Po ashtu, Rexhepi ka rikujtuar se informacionet për një varr të mundshëm masiv në Kalludër nuk janë të reja, duke iu referuar edhe dokumentimit të mëhershëm të kësaj çështjeje.
“Informacioni për një varr të mundshëm masiv në Kalludër nuk është i ri. Fondi për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar se informacioni për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e tyre në Kalludër ishte bërë publik shumë vite më parë, ndërsa një dëshmi për këtë ngjarje i ishte dhënë hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës që në vitin 2003. Prandaj, sot kemi një pyetje shumë të madhe për drejtësinë: sa kohë duhet të presë një familje për të ditur se ku është vrarë dhe ku është varrosur më i dashuri i saj? Zbulimi i këtyre mbetjeve dhe arsenalit mund të jetë një mundësi e re për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje”, ka theksuar Rexhepi.
Sipas tij, në rast se ekspertizat vërtetojnë lidhjen e armëve me viktimat, hetimi duhet të shkojë përtej identifikimit të tyre dhe të synojë zbardhjen e përgjegjësisë për krimet.
“Nëse ekspertizat vërtetojnë lidhjen me 23 viktimat, atëherë ky rast mund të bëhet një prej provave më të rëndësishme për zbardhjen e krimeve të luftës në veri të Kosovës. Por nuk duhet të ndalemi vetëm te identifikimi i viktimave. Duhet të shkohet deri te përgjegjësit. Kush i ka ndaluar këta njerëz? Kush ka dhënë urdhrin për vrasjen? Kush ka përdorur armët? Kush i ka varrosur trupat? Kush e ka ditur për varrezat? Dhe, mbi të gjitha, kush e ka penguar drejtësinë për më shumë se dy dekada? Këto janë pyetjet që duhet t’i përgjigjet hetimi”, ka potencuar ai.
Në fund, Rexhepi ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të vazhdojnë hetimet me kujdes maksimal dhe të sigurojnë që çdo provë të ruhet e të analizohet në mënyrë profesionale.
“Institucionet e Kosovës duhet ta vazhdojnë këtë proces me profesionalizëm maksimal, duke ruajtur çdo provë dhe duke garantuar që asnjë element të mos humbasë apo komprometohet. Nëse nevojiten analiza jashtë Kosovës, ato duhet të bëhen në laboratorë të specializuar dhe të pavarur, në mënyrë që rezultatet të jenë sa më të pakontestueshme. Vetë Policia ka theksuar se ekzaminimet duhet të përcaktojnë nëse armët janë përdorur në këtë rast apo në raste të tjera.
Por një gjë është e qartë:23 njerëz nuk janë numër. Janë 23 jetë, 23 familje, 23 histori dhe 23 plagë të pambyllura. Nëse shkenca forenzike konfirmon se armët e gjetura kanë marrë pjesë në vrasjen e tyre, atëherë një pjesë e heshtjes së gjatë mund të thyhet përfundimisht. Dhe atëherë kjo nuk do të jetë vetëm një çështje e së kaluarës. Do të jetë një betejë për drejtësinë e së tashmes dhe për dinjitetin e viktimave. E vërteta mund të jetë vonuar për 27 vjet, por nëse provat tashmë po dalin në dritë, institucionet kanë detyrim moral dhe ligjor të mos ndalen derisa të zbardhet i gjithë zinxhiri i krimit. Familjet kanë pritur gjatë. Drejtësia nuk duhet të presë më”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.
