Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Chris Van Hollen, pritën në Washington, emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Për këto takime njoftoi vetë Lajçak në llogarinë e tij në Twitter. “Pata një takim të rëndësishëm në Hill me senatorë Chris Van Hollen dhe Chris Murphy të cilët ndjekin nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Lajçak.
Ai tha se me ta ka folur për situatën në veriun e Kosovës. “Ne ndamë të njëjtin vlerësim për situatën dhe ramë dakord për nevojën e de-përshkallëzimit dhe rikthimit në dialog dhe normalizim”, ka shkruar ai në Twitter.
Senatori amerikan Chris Murphy, në javën e fundit të muajit maj, qëndroi për vizitë në Beograd dhe atje deklaroi se Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, është një hap përpara, për të cilin, duhet të jenë krenare të dyja palët.
Megjithatë, ai ka theksuar se marrëveshja duhet të zbatohet shpejt. “Ndonjëherë, është më e lehtë të arrihet marrëveshja, sesa të zbatohet”, ka thënë ai.
Murphy ka thënë, po ashtu, se e di që në Beograd, fokusi qëndron te formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, mirëpo, sipas tij, “marrëveshja kërkon që të dyja palët të marrin hapa drejt zbatimit”.
Senatori amerikan ka thënë se çështja e afateve kohore për zbatim të marrëveshjes, duhet të trajtohet nga negociatorët dhe ekspertët, mirëpo beson se duhet vepruar shpejt.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në SHBA, Lajçak takoi edhe Nënsekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, e cila i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë t’i ulin tensionet dhe të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Nuland në një postim në Twitter pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak tha se vazhdojnë të mbështesin planin trepikësh të BE-së, si mënyra më e mirë për zgjedhjen e krizës.