Lajme

LDK në udhëkryq: Zeqiraj denoncon emërimet pa votë dhe paralajmëron dështim të ri

Analisti politik dhe publicisti Idriz Zeqiraj ka ngritur shqetësime të forta për mënyrën e organizimit dhe vendimmarrjes brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke paralajmëruar se praktikat aktuale mund ta thellojnë edhe më shumë krizën në parti.

“Emërimet paushalle, pa i fituar në votimin e fshehtë demokratik, bartin dyshime të bazuara”, deklaron Zeqiraj, duke shtuar se perceptimi i elektoratit varet nga transparenca dhe meritokracia. Sipas tij, “nëse ka angazhim të sinqertë, pa bërrylime të brendshme, shanset për ngritje ekzistojnë”, por paralajmëron se “nëse u jepet hapësirë dostave të PAN-it, në veçanti të PDK-së, dështimi i radhës është i parathënë”.

Duke komentuar rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, Zeqiraj është i drejtpërdrejtë: “Humbjen e thellë, lidershipi i LDK-së e ka kërkuar me qiri e pishë”.

Ai shton se të njëjtët faktorë që sollën Isa Mustafën në krye të partisë, “penguan edhe koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje”. Në këtë kontekst, ai vlerëson qëndrimin e Albin Kurtit, duke cituar: “Janë të kontaminuara dhe nuk dua ta helmoj qeverinë time të pastër si loti”.

Image
Idriz Zeqiraj

Sipas Zeqirajt, kjo qasje “u vlerësua nga qytetarët si model i qeverisjes me duar të pastra”.

Zeqiraj pretendon se brenda strukturave të LDK-së ka pasur veprime të qëllimshme për ta dobësuar partinë dhe lidershipin aktual.

“Disa në Kryesi komplotuan për ta thelluar humbjen dhe për ta rrëzuar kryetarin Lumir Abdixhiku”, thotë ai, duke e cilësuar këtë “më shumë se faj – një veprim me pasoja të rënda politike”.

Ai paralajmëron se “një kryesi e përbërë nga grupe të përziera do të jetë barrë e rëndë për bashkëpunim”.

Në pjesën tjetër të analizës, Zeqiraj ndalet te mungesa e hapësirës për mendim ndryshe brenda partisë.

Demokracia nuk është emërtesë boshe, ajo nënkupton fjalën e lirë”, thekson ai. Sipas tij, figura të arsimuara në Perëndim kanë dhënë ide për dalje nga kriza, por “janë lënë jashtë strukturave drejtuese”.

Ai përmend edhe rolin e diasporës, duke vlerësuar se “mërgata duhej të ishte pjesë e Kryesisë, pasi sjell përvojë dhe frymë evropiane”.

Zeqiraj sjell edhe një episod personal nga viti 2004, kur, sipas tij, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte ofruar postin e zëvendësministrit të Arsimit.

“E falënderova dhe refuzova, sepse ndihesha i përmbushur me angazhimin në mërgatë”, tregon ai, duke shtuar se në disa raste kishte refuzuar edhe kandidatura të tjera politike, për t’i hapur rrugë brezit të ri.

Në përfundim, Zeqiraj bën thirrje për një reformim të thellë të LDK-së.

“LDK duhet të jetë shkollë për partitë e tjera”, deklaron ai, duke theksuar se “të thirresh në trashëgiminë e Rugovës dhe të veprosh kundër saj është hipokrizi”.

Sipas tij, vetëm përmes rikthimit të demokracisë së brendshme, debatit të lirë dhe përfshirjes së figurave të reja, partia mund të shmangë një tjetër rënie.

Të Ngjashme