Lajme

“LDK u bashkua në skenë, por jo në prapaskenë” – analistët zbulojnë çfarë fshihet pas mungesës së Hotit, Bajramit dhe figurave të tjera

LDK dhe ish-presidentja Vjosa Osmani tashmë kanë filluar fushatën e tyre pas “bashkimit” i cili zyrtarisht ndodhi të dielën.

Të dielën, duke filluar nga ora 18:00, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me ish- presidenten dhe ish- bashkëpartiaken e tij, Vjosa Osmanin, mbajtën tubim në Prishtinë të cilin e titulluan “Tubimi i Bashkimit”.

Në fjalën hyrëse të tij, Abdixhiku u shpreh se  “ky bashkim po e nis valën më të madhe politike që e ka pas Kosova ndonjëherë”, madje shtoi se këtë herë po vijnë “më të fortë e më të bashkuar, e më të përkushtuar”.

Gjersa, Abdixhiku paralajmëroi ‘bashkim’ e ‘fortësi’ dhe i uroi mirëseardhje Osmanit në LDK, një gjë të tillë nuk e bënë edhe disa nga figurat e rëndësishme të kësaj partie.

Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Imri Ahmeti e Përparim Rama, nuk i uruan mirëseardhjen e tyre Osmanit, e cila ishte larguar nga kjo parti në vitin 2020 dhe kishte themeluar Listë “Guxo”.

Hoti e Bajrami nuk kishin marrë pjesë as në takimin e Kryesisë së LDK-së në të cilin u vendos që Osmani të jetë bartëse e listës dhe kandidate për presidente, kurse Abdixhiku kandidat për kryeministër.

Në anën tjetër, Osmanit nuk “i bëri përshtypje” mos pjesëmarrja e tyre, përkundrazi ajo në fjalimin e saj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që “munguan” që të bashkohen.

Rreziku që mund t’i kanoset LDK-së “me mungesat”

Analisti politik, Eduard Gashi në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se, mungesa në “Tubimin e bashkimit”  është mesazh.

Sipas tij, mungesa e tyre goditi nervin kryesor të operacionit politik Abdixhiku- Osmani.

Image
Eduard Gashi

 

“Mungesa e Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Kujtim Shalës, Imri Ahmetit dhe Përparim Ramës në “Tubimin e Bashkimit” të LDK-së nuk mund të trajtohet si rastësi e thjeshtë kalendarike. Në politikë, sidomos në prag të zgjedhjeve, prania është mesazh, por edhe mungesa është mesazh. Dhe kur mungojnë figura të këtij niveli në një ngjarje që është projektuar pikërisht për të demonstruar unitet, atëherë mungesa nuk është më detaj organizativ; është simptomë politike. LDK-ja deshi të prodhonte një pamje të madhe bashkimi: Vjosa Osmani kthehet në “shtëpinë e vjetër”, Lumir Abdixhiku e shfaq veten si arkitekt i pajtimit, ndërsa partia përpiqet të dalë para zgjedhjeve të 7 qershorit si bllok i konsoliduar kundër Vetëvendosjes. Por fotografia politike doli më e komplikuar. Mediat raportuan se në tubim nuk u panë Hoti, Bajrami, Kujtim Shala, Imri Ahmeti dhe Përparim Rama, ndërsa Hoti e Bajrami kishin munguar edhe në mbledhjen ku u vendos rikthimi i Osmanit në listën e LDK-së.  Kjo e godet pikërisht nervin kryesor të operacionit politik Abdixhiku–Osmani: besueshmërinë e bashkimit. Sepse bashkimi nuk matet me duartrokitjet e sallës, por me praninë e atyre që kanë pasur arsye të mos duartrokasin. Nëse tubimi bind vetëm ata që tashmë janë të bindur, atëherë ai nuk është akt pajtimi; është akt mobilizimi i një krahu”, deklaron Gashi.

Sipas tij, mungesa e Hotit dhe Bajramit ka peshë të veçantë dhe nënkuptohet se LDK nuk e ka mbyllur plagën politike që u hap kur Osmani u përplas me partinë dhe u largua.

“Mungesa e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit ka peshë të veçantë. Ata nuk janë figura periferike. Hoti është ish-kryeministër dhe ish-figurë qendrore qeverisëse e LDK-së; Bajrami ka qenë ndër zërat më të fortë ekonomikë dhe parlamentarë të partisë. Nëse pikërisht këta nuk paraqiten në momentin kur Vjosa Osmani rikthehet, atëherë interpretimi i parë politik është i qartë: brenda LDK-së ende ekziston një rezervë serioze ndaj këtij rikthimi. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata do ta sabotojnë listën. Por do të thotë se LDK-ja nuk e ka mbyllur plagën politike që u hap kur Osmani u përplas me partinë, u largua prej saj dhe më pas ndërtoi kapital politik jashtë saj. Në politikë, plagët e tilla nuk shërohen me një tubim. Ato shërohen ose me interes të përbashkët të fortë, ose mbeten si infeksion i heshtur në trupin elektoral të partisë. Edhe reagimi i Vjosa Osmanit në tubim e pranon tërthorazi këtë problem. Kur ajo i fton “ata që nuk janë këtu” t’i bashkohen rrugëtimit, ajo nuk po flet në abstrakt. Ajo po e sheh boshllëkun në sallë dhe po i jep përgjigje politike boshllëkut. Kjo është e rëndësishme, sepse një tubim i vërtetë bashkimi nuk do të kishte nevojë të ftonte publikisht ata që mungojnë; ata do të ishin aty”, nënvizon analisti.

Mungesa e Ahmetit dhe Ramës, sipas Gashit, është problem tjetër dhe janë mungesa që përfaqësojnë pushtetin lokal.

Sipas tij, çdo lëvizje e madhe prodhon edhe humbës të brendshme.

“Problemi tjetër është mungesa e figurave komunale si Imri Ahmeti dhe Përparim Rama. Këto mungesa janë ndryshe nga mungesa e Hotit apo Bajramit. Ahmeti dhe Rama përfaqësojnë pushtet lokal, rrjete organizative, terren, struktura dhe votë konkrete. Një kandidat mund të fitojë debat televiziv me retorikë, por zgjedhjet fitohen me makineri lokale. Nëse pjesë të kësaj makinerie nuk janë të entuziazmuara, atëherë “bashkimi” mbetet më shumë skenografi qendrore sesa realitet në terren. Për Abdixhikun, ky është moment delikat. Ai ka bërë një lëvizje të guximshme: e ka kthyer Osmanin, duke synuar të zgjerojë bazën e LDK-së, të marrë votues të zhgënjyer nga Kurti dhe të krijojë imazh shtetformues. Por çdo lëvizje e madhe prodhon edhe humbës të brendshëm. Pyetja është: a ndihen Hoti, Bajrami, Shala, Ahmeti e Rama si pjesë e projektit të ri, apo si njerëz që duhet ta pranojnë faktin e kryer? Nëse ata ndihen të anashkaluar, LDK hyn në fushatë me dy parti brenda një partie: LDK-në e Abdixhikut dhe Osmanit, që shet narrativën e bashkimit; dhe LDK-në e rezervuar, që hesht, nuk e kundërshton publikisht, por nuk digjet politikisht për projektin. Ky është skenari më i rrezikshëm, sepse sabotimi i heshtur është më i vështirë për t’u matur sesa kundërshtimi publik”, shprehet Gashi.

Mes tjerash, ai foli edhe rreth mundësisë dhe rrezikut të Osmanit në LDK, duke thënë se problemi i LDK-së do të fillonte nëse lidershipi i saj i trajton  mungesat si “asgjë”.

“Nga ana tjetër, për Vjosa Osmanin kjo është mundësi dhe rrezik njëkohësisht. Mundësia është e qartë: ajo kthehet në një parti me infrastrukturë, histori dhe elektorat tradicional. Rreziku është po aq i madh: ajo kthehet në një shtëpi ku jo të gjithë e presin si të kthyerën e humbur, por disa si figurën që dikur e dëmtoi partinë, u shkëput prej saj dhe tani rikthehet për nevojë politike. Kjo është arsyeja pse rivali kryesor, Albin Kurti, do ta përdorë këtë çarje pa mëshirë. Vetëvendosja nuk ka nevojë ta shpikë narrativën; mjafton ta zmadhojë: “LDK-ja flet për bashkim, por figurat kryesore nuk i shkojnë në tubim.” Në politikën moderne, perceptimi shpesh vlen po aq sa realiteti. Dhe perceptimi pas këtij tubimi është se LDK-ja u bashkua në skenë, por jo domosdoshmërisht në prapaskenë. Megjithatë, këtu duhet bërë dallimi i rëndësishëm: mungesat janë sinjal, jo provë përfundimtare e përçarjes. Një parti serioze mund t’i menaxhojë këto tensione, nëse i merr seriozisht. Problemi i LDK-së do të fillonte nëse lidershipi i saj i trajton këto mungesa si “asgjë”. Në politikë, gabimi më i madh nuk është kriza; gabimi më i madh është mohimi i krizës. Për ta neutralizuar dëmin, LDK duhet të bëjë tri gjëra shpejt. Së pari, të prodhojë pamje reale uniteti me figurat që munguan, jo thjesht deklarata të thata. Së dyti, t’u japë atyre rol politik të dukshëm në fushatë, sepse njerëzit që ndihen të përfshirë mbrojnë projektin, ndërsa ata që ndihen të dekoruar zakonisht heshtin. Së treti, ta kthejë debatin nga drama e brendshme te mesazhi kryesor kundër Kurtit: stabilitet institucional, aleanca perëndimore dhe dalje nga cikli i krizave”, shton analisti.

Ai e sheh “Tubimin e Bashkimit” sukses në aspektin skenik, por i papërfunduar në aspektin politik, duke dhënë përfundim se mungesat nuk e rrëzojnë projektin Osmani–Abdixhiku, por e paralajmërojnë rrezikun më të madh të tij.

“Në thelb, LDK-ja po përpiqet të ndërtojë një front të madh kundër Kurtit, por frontet e mëdha nuk ndërtohen me fotografi; ndërtohen me disiplinë, besim dhe interes të përbashkët. Nëse kthimi i Osmanit shihet si projekt i Abdixhikut dhe Osmanit, ai do të krijojë rezistencë. Nëse shihet si projekt i gjithë LDK-së, mund të prodhojë momentum real elektoral. Prandaj, “Tubimi i Bashkimit” ishte sukses në aspektin skenik, por i papërfunduar në aspektin politik. Ai tregoi se LDK ka energji për ta sfiduar Kurtin, por tregoi edhe se brenda saj ka ende nyje të pazgjidhura. Dhe në zgjedhje të ngushta, nyjet e pazgjidhura bëhen çmim elektoral. Përfundimi është i qartë: mungesat nuk e rrëzojnë projektin Osmani–Abdixhiku, por e paralajmërojnë rrezikun më të madh të tij. Nëse LDK arrin t’i kthejë skeptikët në pjesëmarrës aktivë, rikthimi i Osmanit mund të jetë goditje strategjike ndaj Kurtit. Nëse jo, atëherë “bashkimi” rrezikon të mbetet fjalë e bukur mbi një trup partiak që ende nuk ka vendosur nëse do të pajtohet me vetveten”, përfundon Gashi për “Bota sot”.

Kritika ndaj ‘të munguarve”

Kurse, analisti politik, Blerim Burjani, për “Bota sot” thotë se LDK-së nuk duhet t’i konvenojnë përçarjet, problemet e pakënaqësitë.

Sipas tij, të gjitha këto i bëjnë dëm subjektit dhe rezultatit përfundimtar.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është gabim për këtë kohë kur janë zgjedhjet afër, nuk i konvenojnë fare LDK-së, përçarjet dhe problemet, pakënaqësit nuk i duhen. Në këtë kohë çdo përpjekje për të përçarë këtë subjekt janë të dëmshme edhe për rezultatin përfundimtar zgjedhor”, thotë Burjani.

Sipas tij, mungesa e tyre është e papranueshme edhe politikisht, edhe kundër anëtarësisë.

“Mungesa e tyre është e papranueshme edhe politikisht, edhe kundër anëtarësisë së LDK-së, Këshillit të Përgjithshëm dhe organeve të tjera, degëve. Tani kjo çështje është e subjektit, por nuk i ndihmon asgjë LDK-së”, shton analisti.

Vjosa Osmani ka qenë pjesë e LDK-së që në moshë rinore, ajo u anëtarësua nga fundi i viteve ’90 ose fillimi i viteve 2000.

Në vitet e para të angazhimit të saj, ajo ishte aktiviste dhe anëtare e forumit rinor të LDK-së, pastaj  këshilltare e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut nga viti 2006 deri më 2010.

Osmani ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në tri mandate nga lista e LDK-së: 2010, 2014 dhe 2019, ajo gjithashtu ishte Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvend.

Gjithashtu, Osmani ka qenë nënkryetare e LDK-së, një nga figurat më të votuara të partisë, ndërsa si kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kishte marrë mbi 176 mijë vota.

Osmani ka qenë edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës në vitin 2020, kjo si pjesë e marrëveshjes LVV- LDK, ndërsa në qershor të vitit 2020 u shkarkua nga pozitat drejtuese në LDK pas përplasjeve me udhëheqjen e partisë, ndërsa në shtator të po atij viti u largua përfundimisht nga LDK-ja. / Bota sot

Të Ngjashme