Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

LIVE: Serbët protestojnë edhe sot në veri të vendit

 
 

Kosova, temë diskutimi në Kishinjev

 


 
 

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Twitter pas takimit, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.

“Na duhet shtensionim urgjent dhe zgjidhje përmes dialogut”, tha ai./REL

 

Serbët protestojnë edhe sot në veri të vendit

 


 
 

Në tre komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për katër ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.

Serbët kanë paralajmëruar edhe për sot protesta në këto komuna nga ora 7:00 e mëngjesit.

Ndërsa dje në Zveçan situata herë pas here është tensionuar, ndërsa nuk kanë munguar sulmet ndaj ekipeve të gazetarëve.

Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.