Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Luftë civile në Rusi, Wagner drejt Moskës: Putini i drejtohet popullit, kaos me forcat ruse në Ukrainë

Prej mbrëmjes së djeshme, mercenarët e Wagner janë duke udhëtuar në drejtim të Moskës me qëllim ndryshimin e regjimit në Rusi pasi u larguan disa javë më parë me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes nga fronti në Ukrainë.

Putini i ka bërë thirrje ushtrisë që të mos lejojë këtë rebelim, kurse kreu i Wagner tha se ai kishte bërë zgjedhjen e gabuar dhe tashmë ishte momenti që Rusia të kishte President të ri.

Wagner kanë marrë qytetet e Rostovit dhe Voronjezhit dhe tani janë duke shkuar në drejtim të Moskës, ndërkohë që në kryeqytet është dhënë alarmi.

Marrja e Shtabit të Ushtrisë ruse në Rostov, ku bëhej edhe koordinimi për luftën në Ukrainë i ka lënë pa komandë edhe forcat ruse në Ukrainë.

AlbEu po ndjek zhvillimet në Rusi, të cilat kanë tërhequr vëmendjen edhe nga lufta në Ukrainë. Ju ftojmë të na ndiqni minut pas minuti në LIVE e mëposhtëm:

14:50 – Wagner i afrohet Moskës, BBC nxjerr pamjet. Raportime për largimin e Putinit nga Kremlini, oligarkët i hipin avionëve

Mercenarët e Wagner janë duke iu afruar Moskës nga ora në orë në tentativën e tyre për të “ndëshkuar lidershipin ushtarak për tradhtinë që u bëri në fushën e betejës”.

Në fakt, kjo ishte një betejë mes liderit të Wagner Yevgeny Prigozhin dhe drejtuesve të lartë të ushtrisë ruse, megjithatë në orët e fundit duket se është kthyer edhe kundër Putinit, për të cilin Wagner tha se ka ardhur koha që vendi të ketë një President të ri, raporton AlbEu.com.

Avioni i qeverise ruse duke u larguar nga Moska. Nuk dihet ende nese Putini eshte brenda

BBC raporton se ekipi i tyre ka evidentuar një autokolonë të Wagner në autostradën që lidh Voronjezhin me Moskën, pikërisht në rajonin e Lipetskut.

Duket se forcat Wagner janë vetëm 4-5 orë larg Moskës, ndërkohë që ka raportime se Putini është larguar nga kryeqytetin për në një bazë më të sigurt. Vetë zyrtarët e Moskës thanë se në fakt Putini po qëndron në kryeqytet dhe nuk ka ndërmend të largohet.

Sa i përket përparimit të Wagner, guvernatori i rajonit të Lipetsk u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet, qoftë me automjete publike apo me transport publik.

Autoritetet rajonale në Lipetsk kanë thënë se të gjitha shërbimet e autobusëve në rajon janë anuluar deri në një njoftim tjetër.

Voronezh është një nga dy qytetet – tjetri është Rostov-on-Don, më në jug – të cilin mercenarët e Wagner thuhet se e kanë nën kontroll teksa përparojnë drejt Moskës.

Ngjarjat në Rusi janë shumë të vrullshme. AlbEu do të ndjekë hap pas hapi këto zhvillime, të cilat duket se kanë tërhequr edhe vëmendjen nga lufta në Ukrainë, edhe pse lidhen drejtpërdrejt me të.

Çfarë po ndodh në Rusi?

Prej muajsh shefi i Wagner Prigozhin ka akuzuar drejtuesit e ushtrisë ruse për tradhti pasi nuk furnizonin forcat e tij me municione dhe armë. Gjithçka doli në publik pas Wagner morën Bakhmutin dhe pastaj u detyruan të tërhiqeshin duke ia dorëzuar atë forcave ruse.

Në këto momente pati disa bombardime të ushtrisë ruse ndaj tyre për të cilat Prigozhin akuzoi ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjthshëm të ushtrisë ruse.

Pas kësaj ata u detyruan të tërhiqeshin në prapavijë, por mbrëmë pati një sulm tjetër ndaj bazave të tyre duke bërë që Prigozhin të urdhëronte avancimin drejt Moskës.

A ka gjasa të fitojë Wagner ndaj Putinit?

Nuk dihet ende se çfarë po ndodh realisht në Rusi dhe cilat forca të ushtrisë ruse mbështesin Wagner dhe cilat Putinin. Fakt është se Prigozhin po avancon i pashqetësuar drejt Moskës dhe nuk ka kryesisht rezistencë përveç disa bombardimeve sporadike nga aviacioni rus. Thembra e Akilit për Wagner është pikërisht qielli ku nëse nuk kanë forcë ajrore, gjasat për të patur sukses janë të pakta.

Më shumë se sa forca e Wagner, ajo që do të vendosë fundin e kësaj që po ndodh është pozicionimi që do të ketë pjesa tjetër e ushtrisë ruse.

Një pjesë e mirë e saj ësht e angazhuar në Ukrainë, prandaj ekspertët vlerësojnë se ka pak ushtri mes Voronjezhit ku janë Wagner dhe Moskës ku po kërkojnë të shkojnë.

Ndërkohë ka raportime se oligarkët rus po largohen nga Moska ose në drejtim të Stambollit ose në drejtim të Shën Petersburgut.

14:31 – Çfarë duhet të dini për Grupin Wagner dhe sa real është kërcënimi për të lëvizur drejt Moskës?
Emrin Wagner ka gjasë që do ta dëgjoni më shpesh këto ditë.

Më poshtë po ju sjellim disa informacione që duhet t’i dini për të.

Grupi Wagner, i njohur zyrtarisht si PMC Wagner , e cilëson veten si “kompani private ushtarake”.

Grupi është identifikuar për herë të parë më 2014, kur i ka mbështetur forcat separatiste pro-ruse në lindje të Ukrainës.

Prej atëherë është rritur vazhdimisht.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se Wagneri ka nisur të rekrutojë numër të madh ushtarësh më 2022, sepse Rusia e ka pasur problem që të gjejë njerëz për ushtrinë e saj të rregullt.

Rreth 80 për qind e trupave të Wagnerit, që kanë luftuar në Ukrainë, janë nxjerrë prej burgjeve, ka thënë Këshilli amerikan për Siguri Kombëtare, më herët gjatë këtij viti.

Në Ukrainë,Wagneri ka zhvilluar luftë të gjatë dhe shumë të kushtueshme, për të marrë kontrollin e qytetit të Bahmutit.

Sa real është kërcënimi i Wagner-it për të lëvizur drejt Moskës?
Më herët të shtunën, u shfaqën video që supozohej se tregonin shefin e Wagner Group Yevgeny Prigozhin duke kërcënuar se do të marshonte drejt Moskës nga qyteti jugor i Rostov-on-Don, për të cilin ai pretendon se tani është nën kontrollin e tij, shkruan BBC.

Por, teorikisht, a do të mund të arrinte ai në kryeqytet, apo është thjesht një shantazh i madh?

Pra, Prigozhin pretendon se ka 25,000 luftëtarë të armatosur nën komandën e tij. Shumica prej tyre janë përfshirë për muaj të tërë në luftime të ashpra në Ukrainën lindore.

Ditët e fundit, Prigozhin ka tërhequr trupat e tij në rajonet kufitare të Rusisë, duke përfshirë Rostovin dhe Belgorodin.

Por pjesa më e madhe e këtyre luftëtarëve janë aktualisht larg kryeqytetit rus.

Për të lëvizur atje, Prigozhin dhe njerëzit e tij do të duhet të përshkojnë qindra milje, duke kaluar rajonet ruse ku ekziston një regjim i veçantë “kundër-terrorizmi”

Raporte të pakonfirmuara thonë se një kolonë Wagner u godit të shtunën nga sulmet ajrore ruse në rajonin Voronezh, në gjysmë të rrugës për në Moskë.

Si Prigozhin ashtu edhe ministria ruse e mbrojtjes tani po u bëjnë thirrje në mënyrë aktive burrave të armatosur në palën kundërshtare që të ndryshojnë besnikërinë, por në këtë fazë është e paqartë se kush do të ketë një avantazh.

Megjithatë, tashmë flitet për një luftë të re civile në Rusi.

12:58 – VIDEO/ Dalin pamjet e luftës me Wagner brenda Rusisë, bomba dhe zjarr nëpër rrugë: Kërkohet koka e Putinit
Forcat ruse janë duke u përballur me rebelët e Wagner në qytetin Voronjezh, teksa këta të funidt janë nisur në drejtim të Moskës për të rrëzuar Putinin nga pushteti. Në minutat e fundit kanë qarkulluar në rrjetet sociale video nga momenti i bombardimeve të aviacionit rus ndaj forcave Wagner në autostradën që çon në drejtim të Moskës, raporton AlbEu.com.

Forca të shumta Wagner janë nisur drejt kryeqytetit pasi kanë marrë nën kontroll disa qendra të rendësishme në jug të vendit siç janë Rostovi dhe Voronjezhi.

Duket se situata është bërë shumë serioze për Putinin dhe ushtrinë ruse teksa mercenarët e Wagner kanë marrë tashmë edhe kontrollin në jug dhe mund ta përmbysin atë nëse veprojnë shpejt për aq kohë sa ushtria ruse gjendet e ngecur në Ukrainë.