Lajme

Lulzim Zeneli i bashkohet Vjosa Osmanit: Kosova ka nevojë për bashkim të vlerave

Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani, ka njoftuar për rikthimin e Lulzim Zenelit në këtë subjekt politik.

Osmani bëri të ditur se Zeneli do të jetë pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit.

“Me përvojën e tij të gjatë politike, akademike dhe institucionale, si bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova dhe Akademik Nexhat Dacit, ish-deputet për tri mandate dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, ai rikthehet për të sjellë përvojë, maturi politike dhe vizion në një kohë të rëndësishme për vendin” tha ajo.

“Pas shumë vitesh angazhim në jetën akademike, shkencore dhe profesionale, Prof. Dr. Zeneli rikthehet me bindjen se Kosova ka nevojë për më shumë kulturë institucionale, më shumë stabilitet dhe më shumë përfshirje të dijes dhe ekspertizës në politikëbërje”, shtoi Osmani.

Ish-presidentja, shtoi se Kosova ka nevojë për bashkim të vlerave, përvojës dhe njerëzve që kanë kontribuar në momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të saj.

“Rikthimi i Prof. Dr. Lulzim Zenelit është një mesazh i qartë për forcimin e frymës institucionale dhe vazhdimin e rrugës euroatlantike të Kosovës. Mirë se na u riktheve, Profesor Lulzim!”, theksoi ish-presidentja Osmani.

Të Ngjashme