Lajme

Lutfi Haziri reagon pas identifikimit të mbetjeve mortore të veprimtarëve të LDK-së

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas identifikimit të mbetjeve mortore të 23 personave të zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë.

Haziri bëri të ditur se në mesin e të identifikuarve janë Idriz Rrecaj, kryetar dhe udhëheqës i LDK-së në Skënderaj e Drenicë, dhe Adem Beqiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Mitrovicë, si dhe bashkëveprimtari i tyre, Sali Mziu.

Ai i ka cilësuar ata si veprimtarë dhe patriotë që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Postimi i tij:

Në ditët kur Kosova është në këmbë për ta konfirmuar se Liria ka Emër, na erdhi lajmi për zbardhjen e një prej krimeve ndaj grupit të intelektualëve, ndaj atyre që udhëhoqën rezistencën në Skënderaj, Drenicë e Mitrovicë.

Pas më shumë se 27 vitesh të zhdukur, lajmi i madh është se në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe Idriz Rrecaj, kryetar dhe udhëheqës i LDK-së në Skënderaj dhe Drenicë, dhe Adem Beqiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Mitrovicë, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, të cilët ishin në krye të rezistencës e kryengritjes për liri në Skënderaj e Mitrovicë, sikurse edhe mbetjet e bashkëveprimtarit të tyre, Sali Mziut.

Ata ishin veprimtarë e patriotë, idealistë e kontributdhënës të mëdhenj për liri e pavarësi, të cilët, me shembullin e tyre, na mësuan se si duhet atdheu.

Rrugë e gjatë 27-vjeçare me mallin e pritjes. E zbuluam heroizmin tuaj e mizorinë ndaj jush. Shpirtrat e tyre bëjnë dritë në Republikën për të cilën u flijuan.

Lavdi e përjetshme!

Të Ngjashme