Aktuale

Marrëdhënia fatale e Altinit me Luljetën në Greqi dhe dëshmia e motrës: Më tha që do ta bënte!

45-vjeçarja Luljeta Obzova, ishte e divorcuar dhe jetonte me vajzën e saj 16-vjeçare, e cila nuk ishte në shtëpi në kohën e krimit. Të dy thuhet se kishin pasur një lidhje romantike të mëparshme

Luljeta Obzova dhe Altin Allmuça, 45-vjeçarja dhe 48-vjeçari që u gjetën të vdekur në orët e para të së dielës, 23 gusht, në Nea Smyrni, njiheshin prej së kaluarës, raporton noa.al duke cituar Zougla në Greqi.

Sipas hetimeve të autoriteteve, viktima dhe autori kishin pasur një marrëdhënie në të kaluarën. Madje, situata mes tyre dyshohet se kishte qenë e tensionuar, pasi në vitin 2024 gruaja kishte bërë kallëzim ndaj tij në Komisariatin e Policisë së Akropolit për përvetësim pasurie, duke pretenduar se ai i kishte marrë një motor.

Momentalisht është nxjerrë në median greke dëshmia e motrës së viktimës. Kjo dëshmi konsiderohet veçanërisht e rëndësishme. Motra e të ndjerës deklaroi se 48-vjeçari e kishte kërcënuar motrën e saj se do ta vriste, madje duke i treguar edhe armën me të cilën do ta bënte këtë.

Autori ishte i martuar dhe baba i një fëmije

Ndërkohë, sipas informacioneve, burri ishte i martuar dhe baba i një fëmije.

Madje, bashkëshortja e tij dyshohet se u ka deklaruar autoriteteve se nuk kishte dijeni për marrëdhënien personale që ai kishte me 45-vjeçaren.

Policia po përpiqet tani të përcaktojë kohëzgjatjen e marrëdhënies, momentin kur ndodhi prishja mes tyre, si edhe nëse kishin pasur më parë presione, kërcënime apo episode të forta konflikti.

Dëshmi nga zona bëjnë me dije se, kur shfaqeshin bashkë, të dy jepnin përshtypjen e një çifti të lidhur ngushtë. Megjithatë, kjo pamje nuk pasqyron domosdoshmërisht atë që mund të ketë ndodhur gjatë periudhës së fundit, ndaj autoritetet po i kushtojnë rëndësi të veçantë komunikimeve private mes tyre.

Kronologjia e vrasjes

Misteri i dy personave të vdekur, të cilët u gjetën në një pellg gjaku në rrugën Grigoriou Kydonion 3, u zbardh përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së pallatit. Imazhet tregojnë zhvillimin e tmerrshëm të ngjarjes.

Vrasësi i Nea Smyrnit

Autori kishte ngritur pritë dhe po priste 45-vjeçaren brenda makinës së tij, pranë hyrjes së ndërtesës. Kur gruaja u shfaq, në pamje regjistrohet një debat i fortë mes tyre. Menjëherë më pas, burri e qëllon gruan në kokë dhe në trup. Më pas, ai e drejton armën ndaj vetes, duke i dhënë fund jetës.

45-vjeçarja, e cila është identifikuar, kishte lindur në Shqipëri në vitin 1981 dhe kishte kartë identiteti greke. Nga të dhënat rezulton se ajo nuk banonte në pallatin në fjalë, por dyshohet se kishte shkuar aty pasi në ndërtesë banon vajza e saj.

Autori, i cili më pas vrau veten, ishte gjithashtu me origjinë shqiptare dhe banonte në Kallithea. Nën trupin e tij u gjet arma e krimit, një revolver, çka shpjegon edhe faktin se policia nuk gjeti gëzhoja në vendin e ngjarjes.

Një banor i zonës përshkruan se të shtënat u dëgjuan rreth orës 05:30.

Në llogaritë e 48-vjeçarit në rrjetet sociale, autoritetet gjetën fotografi ku ai shfaqej duke pozuar me armë. Këto postime tashmë janë vendosur nën “lupën” e oficerëve që po hetojnë çështjen.

Hetimet vazhdojnë

Të shtënat u dëgjuan pak pas orës 05:30 të mëngjesit, duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët e zonës. Në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta policore dhe ambulanca.

Çështjen e ka marrë përsipër Departamenti i Vrasjeve, ndërsa pritet raporti i mjekut ligjor, i cili do të përcaktojë numrin e saktë të plumbave që ka marrë gruaja.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Të Ngjashme