Aktuale

Mashtruan 70-vjeçarin me inteligjencë artificiale, arrestohen 2 të rinj në Tiranë që i morën 100 mijë euro

Dy persona janë vënë në pranga këtë të hënë nga Policia e Tiranës pasi kanë mashtruar nëpërmjet inteligjencës artificiale një të moshuar, duke i marrë 100 mijë euro.

Sipas raportimeve të Policisë, në pranga kanë rënë B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.

Të tre këta shtetas i janë prezantuar burrit të moshuar, rreth 70 vjeç, si të njohurit e tij. Ai ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. 70-vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, si dhe nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, pas kallëzimeve të disa qytetarëve për raste mashtrimi dhe/ose vjedhjeje në subjektet e tyre, u finalizuan, në 24 orë, 2 operacione për zbardhjen e këtyre krimeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale. Konkretisht:

-Në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.

Këta shtetas, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe duke iu prezantuar një 70-vjeçari, përmes mesazheve, si të njohur të tij, e kanë mashtruar 70-vjeçarin që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. 70 vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.

Operacioni vijon për kapjen e shtetasit R. H., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që ka shkuar te subjekti i 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e eurove, si dhe të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

-Në kuadër të operacionit të koduar “Imazhi”, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, G. B., 37 vjeç, i cili dyshohet se:

-më datë 14.08.2026, ka marrë 20 000 lekë, në 2 biznese, në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke mashtruar punonjësit se ishte i njohur i pronarëve të subjekteve dhe se do t’ua kthente paratë menjëherë, ndërsa më datë 21.08.2026, ka vjedhur një çantë me 25 000 lekë brenda, në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”.

Vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtaritë kriminale të 37-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët dhe administratorët e subjekteve që të tregojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit, si dhe që në asnjë rast të mos japin para ose të dhëna shtetasve të paverifikuar që i kontaktojnë në mënyra të ndryshme përfshi dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale.

Gjithashtu, Policia e Shtetit fton për denoncim të menjëhershëm të çdo dyshimi, personi të dyshuar, indicieje apo rasti kur bien pre e veprave penale në këtë fushë, pasi vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të shpejtë dhe të ngushtë mundësohet identifikimi dhe kapja e autorëve, si dhe mbrojtja e pronës dhe pasurisë së qytetarëve.

Të Ngjashme