Lajme

Mbahet protesta e 83-të qytetare në Tiranë

Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në ditën e 83-të të protestës, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit turistik në Zvërnec dhe që tashmë është shndërruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera politike.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u ndalën para ambienteve të Kryeministrisë. Ata kundërshtuan projektin dhe parashtruan edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Gjatë tubimit, qytetarët ngritën shqetësime për gjendjen ekonomike, emigracionin, pensionet, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve.

Në fjalimet e mbajtura përpara Kryeministrisë, aktivistët deklaruan se do të vijojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Një qytetar, deklaroi se në shtator do të ketë përshkallëzim të protestave, raporton ATSH.

“Në shtator do ta ketë të vështirë, do ta shikojë se kush është populli i vërtetë. Do t‘i bllokojmë rrugët të tëra. Do të ketë përshkallëzim”, tha ai.

Të Ngjashme